8 të vdekur, një i zhdukur, shumica viktima të pemëve të thyera: situata në rajonet më të prekura prej motit të keq në Itali është dramatike.
Në qytete të ndryshme, duke nisur nga Roma, shkollat u mbyllën të hënën e nuk do të hapen as gjatë ditës së sotme. Kulmin e saj, furia e motit, sipas Mbrojtjes Civile, e arriti pasditen e një dite më parë, me reshje të rrëmbyera në të gjithë veriun e vendit, sidomos në alpe.
Ndërhyrjet e zjarrfikësve kanë mbërritur një nivel rekord: 1 600 vetëm të hënën, shumica ishin në Toskanë; alarmi i kuq do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe sot për rajonet më të goditura: Veneto, Friuli, Venecia, Xhulia, Trentino Alto Adixhe, Lombardi dhe Liguria.
Edhe Venecia u përball me një baticë frikësuese që përmbyti gati 70% të qendrës historike të saj. Shpresat janë që situata të qetësohet disi më vonë gjatë ditës.
Problemet e motit në Itali janë bërë shkas për vonesa të mëdha të lëvizjes së trageteve nga Bari drejt Durrësit. Ndërkohë, Kapiteneria e Përgjithshme i ka dërguar një urdhër autoriteteve të 4 porteve në vend, pasi do të ketë një përkeqësim të situatës në det përgjatë 48 orëve të ardhshme. Kërkohet që të ndalohet lëvizja e mjeteve të vogla në det. Po njoftohen të gjitha agjensitë, tragetet, peshkarexhat dhe anijet e transportit të mallrave për situatën e përkeqësuar dhe të marrin masa.