Moti i keq godet Shqipërinë, bllokohen rrugët

Prishtinë | 30 Nën 2017 | 15:16 | Nga

Reshjet e shumta të shiut që ka përfshirë të gjithë vendin tonë, ka shënuar problemet e para në disa akse rrugore. Sipas informacioneve të dhëna nga Emergjencat Civile, në segmentin Librazhd-Elbasan ka patur rrëshqitje gurësh në vendin e quajtur “Kthesa e Murrashit”.

Pas ndërhyrjes së punonjësve të mirëmbajtjes së rrugës qarkullimi vijon normalisht, por apelohen drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes. Rrëshqitje dheu ka patur edhe në Gjirokastër në fshatrat Çajup dhe Fushëbardhë.

Për shkak të motit u pezullua lëvizja e trageteve të linjës Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas, pasi dallgët në det arrijnë deri në 6 ballë. Edhe në Vlorë vijon të jetë i pezulluar lundrimi në det të hapur për të gjitha mjetet. Kapitaneria e Vlorës njoftoi se për shkak të motit të keq do të bllokohet për dy ditë lundrimi i trageteve të linjës Vlorë-Brindisi.

Në Durrës, Kapiteneria ka pezulluar lundrimin e të gjitha mjeteve pasi dallgët arrijnë deri në 7 ballë. Për shkak të motit është pezulluar nisja nga Italia e trageteve të linjës Bari-Durrës, të cilët do të mbërrijnë deri në 9 orë me vonesë.

Në Shkodër janë përmbytur rreth 90 hektarë tokë nga reshjet e shiut ku rreth 50 në “Ana e Malit”, dhe 40 hektarë në zonën fushore të fshatit Rrenc. Probleme janë shënuar edhe me përmbytje në segmentin rrugor Shkodër-Velipojë dhe Shkodër-Mjedë. Lumi Kir ka rritur ndjeshëm prurjet, ndërsa si pasojë e motit ka patur mungesë energjie në fshatrat e Njësisë Administrative Rrethina, Postribë, Bërdicë. Energjia elektrike mungon edhe në Velipoje e për rrjedhojë dy hidrovoret nuk janë në punë.

Reshjet me intensitet të lartë kanë përfshirë edhe rajonin e Kukësit, por nuk janë shënuar probleme për qarkullimin në akset rrugore të cilat janë të kalueshme pa probleme. Në Kukës, Has dhe Tropojë ka patur probleme të furnizimit me energji elektrike në disa fshatra. OSHEE ka ngritur Grupin Qendror të Gatishmërisë, për të menaxhuar situatën në rajonet e vendit. 600 punonjës janë vendosur në dispozion në gatishmëri të plotë. Sipas Shtabit të Emergjencave në Tiranë nuk janë shkaktuar probleme nga reshjet e shiut. Nën monitorimin mbahet zona e Kombinatit, aty ku më parë ka patur rrëshqitje.

Rreziku nga përmbytjet alarmon banorët e Vlorës, marrin vetë masa

Rreziku nga përmbytjet ka alarmuar banorët e Vlorës, të cilët janë angazhuar dhe kanë nisur të marrin masat e para. Vendosja e thasëve me rërë si barrierë përpara dyerve të bizneseve dhe banesave, është mënyra që banorët kanë zgjedhur për të parandaluar sadopak rrezikun që iu kanoset nga përmbytjet. Nevojë emergjente sipas banorëve, mbetet pastrimi i kanalizimeve, pasi është shkaktari kryesor i përmbytjeve të shpeshta vitet e shkuara. Teksa reshjet intensive kanë përfshirë të gjithë vendin, Vlora mbetet një nga qarqet më të rrezikuara nga përmbytjet.

Në Gjirokastër ndërpritet mësimi

Shirat e dendur dhe rreziku i përmbytjeve ka vënë në emergjencë prefektin e qarkut të Gjirokastrës, i cili kërkoi marrjen urgjente të masave, si dhe ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat rurale. Zonat më problematike paraqiten në rrethin e Tepelenës, ku lagjja e poshtme e saj rrezikon përmbytje. Zona të rrezikuara mbeten edhe pjesa verilindore e Memaliaj, si edhe fushat e Qesaratit, Krasit e Kalivaçit. Rrëshqitje dheu ka patur në zonën e Përmetit, në Çarçovë dhe Frashër ,si dhe në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë.

Korçë dhe Fier

Për të shmangur rrezikun e përmbytjeve të dy viteve më parë, në Fier është hartuar një plan i detajuar. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile, kreu i bashkisë zbuloi planin e masave duke u përqendruar në zonat me kritike që mund të preken nga vërshimet e ujit. Katër hidrovorët janë në gatishmëri të plotë dhe kanë edhe burime alternative energjie, edhe në rast se kjo e fundit do të shkëputet. Në gatishmëri maksimale janë Spitali Rajonal Fier, Drejtoria e Policisë, Bordi i Kullimit, Ujësjellësi, si dhe institucionet e tjera. Në Korçë, grupet e punës janë nën monitorim të vazhdueshëm të pikave më kritike që rrezikohen nga përmbytjet si fusha e Maliqit, lumi i Vërdovës në Pogradec, dhe lumi në hyrje të qytetit të Ersekës.

Ndërkohë, prefekti i Qarkut Elbasan, Maksim Malaj dhe Sektori i Emergjencave Civile, gjatë paradites kanë inspektuar të gjitha zonat me risk nga fatkeqësitë natyrore. Prefekti Malaj, i shoqëruar nga sektori i Emergjencave, ka inspektuar në terren rrjedhën e përrenjve Zaranikë e Manazderen, që në mot me reshje janë rrezik potencial për përmbytjen e lagjeve periferike të qytetit të Elbasanit. Po kështu ka inspektuar situatën që paraqitet në fshatrat problematikë në kohë reshjesh, përgjatë rrjedhës së Shkumbinit, si dhe zonën në Polis Vale në Njësinë Administrative Shushicë, si dhe punimet për pastrimin e një kanali kullues në Bradashesh. Prefekti Malaj ka kërkuar angazhim maksimal të strukturave të Emergjencave Civile për marrjen e të gjitha masave paraprake për evitimin e problematikave, si dhe angazhimin e pushtetit vendor pareshtur në çdo situatë problematikë të mundshme. Aktualisht sipas informacioneve të siguruara nga Sektori i EC pranë kësaj prefekture, nuk ka probleme. Rrjedha e përrenjve të rrezikshëm dhe e Shkumbinit ka prurje të nivelit të ulët.

Reshjet në Shkodër, mungon energjia

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në zonën e Shkodrës. Në zonën e quajtur Ana e Malit janë përmbytur rreth 30 hektarë tokë, kryesisht tek fusha e Muriqanit, nga përroi i përbashkët me Malin e Zi. Nisur nga situata e krijuar prej reshjeve që vijojnë prej disa orësh, në rrethinat e Shkodrës, në të gjitha fshatrat, mungon energjia elektrike. Po kështu prej mëngjesit të sotëm mungon energjia elektrike në Njësinë Administrative Postribë. Edhe në Bërdicë mungon energjia elektrike në gjithë fshatrat. Ndërsa në Guri i Zi, ka patur disa herë ndërprerje të vogla të energjisë elektrike, por që është rikthyer pas pak minutash. Energjia elektrike mungon edhe në Velipojë, dhe për rrjedhojë dy hidrovoret nuk janë në punë. Nga reshjet është përmbytur rreth 80 hektarë tokë kenetë. Mësohet se prurjet në lumin Kir janë rritur ndjeshëm, ndërsa raportohet se përmbytje ka në një pjesë të segmentit ku po punohet në rrugën Shkodër-Velipojë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme