Speci është ndër kulturat më të kultivuara në Kosovë. Kohëve të fundit, fermerët kanë hasur në telashe, pas luhatjes së temperaturave që rezultuan me vërshime dhe krijimit të kushteve të favorshme për shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme.
Lagështia e tepërt krijon kushte ideale për përhapjen e infeksioneve të ndryshme në bimë, në veçanti tek kultura e specit. Këto infeksione, përveç dëmeve që u shkaktojnë bimëve në masën vegjetative si dhe në rendiment, në të njëjtën kohë shkatërrojnë investimet e fermerëve në sera, si dhe në fushë të hapur.
Sëmundjet në kulturën e specit kanë qenë të pranishme viteve te fundit dhe kanë përfshirë një pjesë të regjionit të Istogut si dhe mbarë regjionin e Anadrinisë.
IPKO- Stacionet Agrare gjatë këtyre ditëve kanë gjeneruar të dhëna të sakta mbi rrezikun e paraqitjes së sëmundjes së Fitoftores tek kultura e specit.
Marrë parasysh që vjeljet po vazhdojnë, fermerëve u rekomandohet të kenë kujdes të shtuar edhe ndaj rrezikut të Antraknozes.
Në grafin e mëposhtëm, vërehet rritja e rrezikut të paraqitjes së Fitoftores në përqindje, duke filluar nga data 20 Shtator 2018, deri me datën 25 Shtator 2018. Informatat janë nxjerrë nga IPKO- Stacioni Agrar, i vendosur në fshatin Krushë e Madhe.
Meqë mundësitë e shfaqjes së infeksionit shtohen gjatë natës si rrjedhojë e lagështisë së ajrit, fermerët rekomandohen që të konsultohen me ekspertët e mbrojtjes së bimëve.