Me moton “Ti je pjesë e atdheut”, përfunduan takimet nëpër komuna

Prishtinë | 07 Kor 2016 | 17:12 | Nga

Me vizitat e sotme në Pejë dhe Gjakovë, ministri i Diasporës, Valon Murati, i përfundoi takimet me komuna, qëllimi i të cilave ishte koordinimi i aktiviteteve dhe mobilizimi për t‘i pritur bashkatdhetarët.

Në të dyja takimet, Murati u njoftua për përgatitjet që i kishin bërë këto komuna për bashkatdhetarët, që ata ta ndiejnë afërsinë me atdheun.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari –Lila, dhe ai i Pejës, Gazmend Muhaxheri, theksuan se, përveç aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive, i kanë shtuar kapacitetet edhe sa u përket shërbimeve komunale, duke punuar me orar të zgjatur, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u krijohen lehtësi në kryerjen e procedurave komunale për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme që u nevojiten.

Risi e komunë së Gjakovës ishte edhe lëshimi i portalit informativ www.gjakovaportal.com, në të cilin mërgimtarët mund t’i gjejnë të gjitha informacionet, qoftë ato për mundësinë e investimeve, qoftë informacionet për zhvillimet ditore, në sferën politike, kulturore, sportive e të tjera.

Duke pasur parasysh se të gjitha këto aktivitete realizohen në kuadër të fushatës “Ti je pjesë e atdheut”, ministri Murati rekomandoi që ato të shfrytëzohen edhe për regjistrimin e diasporës, përmes zyrtarëve regjistrues për diasporë, të cilët do të aktivizohen në pika të ndryshme ku frekuentohen më shumë nga mërgimtarët.

Po ashtu, në takimet që komunat do t’i mbajnë me bashkatdhetarët, ministri sugjeroi që të sensibilizohet opinioni i diasporës për mësimin e gjuhës shqipe, të përçohet mesazhi që sa më shumë fëmijë ta vijojnë shkollën shqipe në diasporë.

Edhe sa i përket fushës së ekonomisë, ministri Murati u rekomandoi komunave që të mbajnë ndonjë debat ose tryezë me bizneset nga diaspora, bashkë me ato të vendit, ku komuna do të mund të ofronte projekte për investitorët shqiptarë nga diaspora, t’i orientonte ato se ku mund të investojnë, të krijojnë kontakte mes vete, por të ofrojnë edhe ide.

Në fokus të të gjitha takimeve ishte regjistrimi i diasporës dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, përmes të cilit arrihet të ruhet më së miri identiteti kombëtar në diasporë.

Të ngjashme