Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Chelseat, Real Madridit e Interit e ka zbuluar dëshirën e tij për ta vazhduar karrierën si trajner në Bundesligë.
56-vjeçari Jose Mourinho ka qenë i papunësuar që kur u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit, më 18 dhjetor të vitit të kaluar, pas dy sezoneve e gjysmë në “Old Trafford”, transmeton Gazeta Express.
Mourinho, i cili spekulohej se do të kthehej në Real Madridit para se në këtë pozitë të riemërohej Zinedine Zidane, tashmë i ka bërë planet për t’iu kthyer futbollit për sezonin e ardhshëm.
“Bundesliga është një garë emocionuese për mua, veçanërisht me skuadrat në mes të tabelës, të cilat vazhdimisht po përmirësohen dhe po e krijojnë një gare të përgjithshme shumë më të mirë”, është shprehur Mourinho për SPORTbild.
“Stadiumet e mbushura, organizimi i mrekullueshëm, qasjet e duhura taktike janë të pranishme te shumë klube. Mendoj se Bundesliga është me të vërtetë shumë interesante”.
Në mars, Mourinho zbuloi se i kishte refuzuar një numër të madh të ofertave deri më tani, si dhe e përjashtoi mundësinë e të qenit trajner i ndonjë ekipi kombëtar në këtë fazë të karrierës së tij.
Por, kur u pyet për mundësinë që të emërohet në pozitën e trajnerit të Bayern Munichut, për të cilin ka pasur spekulime gjatë kohës së fundit, portugezi insistoi se ai shpreson që trajnerit Niko Kovac do t’i jepej më shumë kohë për të treguar sukses.
Për momentin, Bayerni radhitet në pozitën e parë në tabelën e Bundesligës, me vetëm një pikë më shumë se Borussia Dortmundi. Megjithatë, deri në fund të sezonit janë edhe gjashtë ndeshje të mbetura.
“Natyrisht, Bayerni është një klub gjigant. Po ju siguroj që sinqerisht shpresoj se Niko do ta mbajë punën e tij sepse ai ka punuar jashtëzakonisht shumë për të arritur në atë nivel”.