MPB-ja përkrah Policinë e Kosovës në kryerjen e obligimeve kushtetuese

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme shpreh përmes një komunikate për medie përkrahjen për Policinë e Kosovës në kryerjen e obligimeve kushtetuese, lidhur me arrestimin e të përfshirëve në vrasjen e politikanit Oliver Olivanoviq.

Ndër të tjera, në komunikatë thuhet se arrestimi i tyre nuk lidhet me përkatësinë e tyre etnike apo fetare.

Komunikata e plotë:

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe ministri Ekrem Mustafa, mbeten të angazhuar në përkrahjen e Policisë së Kosovës në kryerjen e obligimeve kushtetuese, sipas mandatit ligjor në kryerjen e obligimeve, sa i përket zbatimit të ligjit në Kosovë, në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.

Pas urdhrit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në veri të Kosovës, Policia e Kosovës arrestoi disa persona të dyshuar, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit, z. Oliver Ivanoviq.

Arrestimi i këtyre personave nuk ndërlidhet me përkatësinë e tyre etnike apo fetare, por vetëm me dëshmitë për dyshimin se kanë kryer vepër penale.

Është shumë e rëndësishme që në këto aksione t’u besohet vetëm organeve të drejtësisë në Kosovë dhe që në asnjë formë të mos bëhen deklarime politike me qëllim të pengimit të drejtësisë. Është përgjegjësi e secilit në Kosovë që të kontribuojnë në mbajtjen e qetësisë publike dhe të shërbejnë që secili të ndihet i lirë të jetojë dhe veprojë pavarësisht se cilës përkatësi etnike i takon.

Në fund, ministri Mustafa falënderon zyrtarët e Policisë e Kosovë të cilët me profesionalizëm kanë kryer të gjitha obligimet që ju jep ligji në raste të tilla”.

Të ngjashme