Që nga viti 2018, Qeveria e Republikës së Kosovës zbaton Kontratën e Reformës Sektoriale për Reformën e Administratës Publike, e cila është nënshkruar me Komisionin Evropian në vitin 2017. Qëllimi i kësaj kontrate është të mbështesë procesin e reformës në administratën e Kosovës me qëllim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe efektivitetit të administratës publike, me fokus më të madh në nevojat e qytetarëve dhe bizneseve.
Kontrata përmban tetë tregues(indikator) të përgjithshëm të reformave në administratën publike që Qeveria e Republikës së Kosovës është pajtuar t’i përmbush për çdo vit për tre vjet, respektivisht për vitin 2018, 2019 dhe 2020. Secilit tregues i është caktuar një shumë përkatëse financiare që BE-ja është pajtuar ta disbursoj drejtpërdrejt në Thesarin Kombëtar të Kosovës, nëse arrihet. Shuma maksimale që Qeveria e Kosovës mund ta kërkoj për secilin vit është 5.5 milion Euro për tetë tregues. Këta tregues caktojnë caqe konkrete të reformave në sektorin publik. Për shembull, një nga treguesit për vitin 2019 ishte se “Të paktën 70% e masave afatshkurtra të Programit Kombëtar për Implementimin e MSA-së janë zbatuar.” Përmbushja e këtij caku do ti mundësonte Qeverisë së Kosovës të kërkonte nga Komisioni Evropian 400-mijë Euro.
Vetë fakti që Kosova nënshkroi Kontratën e Reformës Sektoriale për administratën publike, ishte një shenjë e njohjes nga ana e Komisionit Evropian që vendi ynë përmbushi kriteret kryesore, ndër të tjera, se kemi strategji kombëtare të besueshme për reforma dhe se kemi ekonomi të përqendruar në stabilitet. Puna e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Kontratës së Reformës Sektoriale për Reformat e Administratës Publike në vitin 2018 dhe vitin 2019 rezultoi me mbi 9 milion Euro që janë disbursuar drejtpërdrejt në Thesarin e Shtetit.
Me qëllim të informimit të drejt të publikut, ju njoftojmë se viti i parë i zbatimit të kontratës, viti 2018 ishte shumë pozitiv sepse shumica e treguesve u përmbushën dhe Qeveria arriti të siguronte mbi 3 milion euro nga Komisioni Evropian. Viti 2019 ishte i vështirë për procesin e reformave për shkak të zhvillimeve politike përfshirë dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme, zhvillime këto që cilat bllokuan procesin vendimmarrës të Qeverisë.
Prandaj, në vitin 2019 Kosova arriti të përmbushë vetëm një tregues, duke arritur të zbatoj 50% të rekomandimeve të lëshuar gjatë vitit 2018 dhe 2019 nga Avokati i Popullit, e për të cilat institucionet janë përgjigjur pozitivisht. Qeveria gjithashtu përmbushi një tregues tjetër, duke miratuar Koncept Dokumentin për Reduktimin e Barrës Administrative, mirëpo për shkak se Vendimi i Qeverisë u mor në mars të vitit 2020 dhe jo gjatë vitit 2019, ai nuk u përfshi në vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian duke i pamundësuar Qeverisë të kërkoj 800-mijë Euro. Një tregues tjetër i rëndësishëm i reformave është racionalizimi i agjencive, ku përderisa institucionet kishin përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin, vendimet kishin ngecur për arsye politike. Viti 2020 është ngrirë nga Komisioni Evropian për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 dhe zhvillimeve të tjera në Kosovë që kanë ndaluar procesin e reformës.
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përgatitur kërkesën përkatëse për zgjatje dhe ri-negocim të kontratës duke përfshirë edhe ri-planifikimin e fondeve të mbetura për vitin 2018 dhe 2019, në shumë prej 7-milion eurove. Prandaj këto mjete nuk janë të humbura, por mbetet të diskutohet me Komisionin Evropian nëse ato mund të ri-planifikohen.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj reformave në administratën publike. Së bashku me mbështetjen nga Bashkimi Evropian, ne kemi bërë arritje të rëndësishme, dhe puna jonë e përbashkët do të vazhdojë.