Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur takimi i Grupit Punues për Implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë (AVLE), i cili është hapur nga Zëvendësministri i MPB-së dhe Koordinatori Nacional për zbatimin e kësaj strategjie, Blerim Gashani.
Gjatë takimit është bërë vlerësimi i zbatimit të Strategjisë AVLE, duke u diskutuar realizimi i objektivave strategjike dhe aktiviteteve të planifikuara. Sipas vlerësimeve, një numër i konsiderueshëm i aktiviteteve janë realizuar në përputhje me masat e përcaktuara, ndërsa është diskutuar edhe për adresimin e aktiviteteve që ende nuk janë zbatuar.
Zëvendësministri Gashani ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të angazhimit institucional për zbatimin e plotë të Strategjisë. “Zbatimi i Strategjisë për Armë të Vogla dhe të Lehta është një proces i vazhdueshëm që kërkon koordinim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të përbashkët për arritjen e objektivave të saj”, ka deklaruar ai.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua fushatës vetëdijesuese, për të cilën u vlerësua se ka dhënë rezultate shumë efektive. Sipas pjesëmarrësve, kjo fushatë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të qytetarëve që kanë raportuar rastet e të shtënave me armë.
“Rezultatet e fushatës vetëdijesuese dëshmojnë se përfshirja e qytetarëve është kyçe në parandalimin e përdorimit të paligjshëm të armëve dhe në rritjen e sigurisë publike”, është thënë gjatë diskutimeve.
Po ashtu, në takim janë trajtuar sfidat e mbetura dhe nevoja për përmirësim të mëtejmë të zbatimit të aktiviteteve, me qëllim avancimin e Planit të Veprimit dhe arritjen e objektivave strategjike të Strategjisë për AVLE.
Takimi është vlerësuar si konstruktiv dhe kontribuues në forcimin e koordinimit ndërinstitucional, si dhe në zbatimin më efektiv të Strategjisë për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë.