Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se Turqia është vend mik i Kosovës, vend që e ka mbështetur dhe e mbështet Kosovën në vazhdimësi.
“Nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojmë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan, në pajtim me marrëdhëniet e mira që kemi si dy shtete dhe të parimeve të barazisë së shteteve sovrane dhe mos-përzierjes në punët e brendshme”, ka shkruar ai në Facebook, përcjell Klan Kosova.
“Ne jemi të përkushtuar të kultivojmë marrëdhëniet ndërshtetërore me të gjithë partnerët ndërkombëtare dhe me Turqinë mike”.
“Dihet fare mire se Kosova është e hapur për bashkëpunim dhe dialog me Turqinë në secilën fushë, pa pasur nevojë për interferim në punët e brendshme”.
“Kosova ka institucionet e veta dhe ato udhëhiqen me përgjegjësi dhe respekt nga udhëheqësit e zgjedhur me votën e popullit”.