Mediat serbe sot raportuan se Liberia e ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Por në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk ka asnjë informacion të tillë.
Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj ka thënë për lajmi.net se edhe kjo është vetëm një propagandë e mediave serbe.
“Është e njëjta gjë, kanë raportuar se Guinea Bisau e ka tërhequr njohjen ndërsa ne dje e kemi akredituar ambasadorin, u raportua se edhe Gana e ka tërhequr njohjen ndërsa ambasadorja dorëzoi letrat në Kosovë”, ka thënë Zyberaj.
Ndërsa sipas raportimeve në Serbi, u tha se ministri i Punëve të Jashtme të Liberisë, Gbezongar Milton Findlay i ka dorëzuar homologut serb, Ivica Daçiq notën mbi tërheqjen e pavarësisë së Kosovës duke publikuar edhe një dokument.
Liberia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008.