Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) sot ka organizuar konferencën ndërkombëtare “Siguria dhe bashkëpunimi rajonal në Evropën Jug-lindore, transformimi i Forcës së Sigurisë dhe perspektiva euro-atlantike e rajonit”.
Në kuadër të kësaj konference u diskutua rreth barrierave te Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian si dhe në NATO.
Me këtë rast, zv. ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha tha se Kosova është në një rajon që i përket NATO-s.
Sipas Berishës, partneriteti me NATO-n është shumë i domosdoshëm.
“Është nder dhe kënaqësi që në emër të MPJ-së të iu shprehim mirëseardhje. Një mundësi e mirë për të parë se çka kemi bërë deri më sot dhe si të ecim më tutje. Zgjerimi i NATO-s në rajonin tonë e ka rritur sigurinë si për ne ashtu edhe për rajonin, gjendemi në një rajon që i përket NATO-s”, tha Berisha, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Kosova është e interesuar që sa më shpejtë të bëhet pjesë e partneritetit me NATO-n.
“Lidhja me NATO-n është e veçantë. Kosova vazhdon të zhvillojë kapacitete në fushat e sigurisë. Ky është një vizion që promovon stabilitet dhe siguri. Tranzicioni i FAK-ut është legjitim. FSK-ja është një forcë multi-etnike . Tranzicioni i FSK-së është një kapitull i ri për Kosovën, por që do ruajë partneritetin me NATO-n edhe më tutje”, është shprehur Berisha.
Ai tha se prania e KFOR-it në Kosovë është e domosdoshme.
“Prania e KFOR-it është e domosdoshme. Kosova sot ka nevojë për një rrugë të qartë drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Berisha.
Presidenti i Atlantic Tarety Associacion, Fabricion Luciolli, u shpreh shumë i lumtur për prezencën e tij në Kosovë. Ai tha se në këtë vend duhet të punohet më shumë për gjeneratat e reja.
“Më duhet të them se ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë këtu dhe jam shumë i gëzuar qe jam këtu. Ne jemi këtu ta shohim Forcën e Sigurisë nga aspekti jonë. Për gjithë këto elemente rreth FSK-së dhe drejtë partneritetit me NATO-n do të bisedojmë sot. Ne duhet të jemi bashkë që ta monitorojmë bashkë situatën këtu”, ka thënë Luciolli.
Ai ka folur edhe për luftës e fundit në Kosovë dhe pasojat që Serbia ka lënë në këtë vend.
“Nëse shihni pikturat e të kaluarës të këtij populli, ai ka qenë i shkatërruar më parë dhe kjo është për të të ardhur keq. Ne duhet të punojmë shumë më shumë për gjeneratat e ardhshme qe sot po i shohim këtu. Duhet të bëjmë më shumë në mënyrë të suksesshme për të bërë një qeverisje të mirë”, tha ai.
Ndërsa, zëvendësministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, ka thënë se ushtria e Kosovës do të ndërtohet në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe do të jetë kontribuues i sigurisë për rajonin dhe më gjerë.
“Ushtria e Kosovës do të ndërtohet në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe do të jetë kontribuues i sigurisë për rajonin dhe më gjerë”, tha ai.