Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) shpreh shqetësimin mbi publikimin e dëshmive bindëse nga Organizatat kredibile ndërkombëtare, siç është Amnesty International se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, “të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste Boko Haram”.
Kështu thuhet në një komunikatë për medie nga kjo ministri, transmeton Ekonomia Online.
Aty tutje theksohet se ministria e Punëve të Jashtme thërret Komunitetin Ndërkombëtar që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë i kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë.
Ministria që drejtohet nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, vlerëson se Serbia përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet për pengimin e njohjes së Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë”.