Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) ka reaguar pas raportimeve të sotme, në disa media serbe, të cituara më pas edhe nga disa në Kosovë, për kinse shteti i Afrikës Perëndimore — Republika e Guinnea Bissau “nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Ministria e Punëve të Jashtme ri-konfirmon frymën e marrëdhënieve të mira në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Guinesë dhe i referohet vetëm komunikimit zyrtar në mes dy vendeve, respektivisht Notës Verbale të njohjes nga ky shtet të datës 11 janar, 2011.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nga takimet e nivelit të lartë, që ka zhvilluar me përfaqësues të këtij vendi është pajtuar në parim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve, me qëllim të fuqizimit dhe zgjerimit të mëtejme të këtyre marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve.
Republika Guinnea Bissau ka votuar edhe pro anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, gjë për të cilën ne i jemi mirënjohës.