Armiqësi e trashëguar apo e planifikuar: Marrëdhëniet midis Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë dhe të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës janë në pikën më të ulët të mundshëm duke prekur fundin e moçalit politik.
Edi Rama po i afrohet 20-vjetorit të majave të pushtetit në Shqipëri duke pasur rezultate të dukshme dhe të prekshme, si në ndryshimin e fytyrës së Tiranës ashtu edhe në ndryshimin e pamjes dhe të përmbajtjes së Shqipërisë, sidomos në zhvillimin e turizmit dhe ndërtimit të infrastrukturës rrugore.
Gjithashtu ka arritur ta ruajë një paqe sociale në kohët kur bota po përjeton njërën ndër krizat më të thella ekonomike. Në planin e afirmimit ndërkombëtar ka arritur ta nxjerrë Shqipërinë nga mentaliteti i Kanunit të Lekë Dukagjinit duke e mbushur me një përmbajtje të një shteti që po e merr reputacionin e një shteti modern nga një Lidhje Fisesh politike dhe jo vetëm politike që ishte deri vonë.
Është e fshehtë publike se parat e pista (nga tregtimi me narkotikë, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni dhe korrupsioni i nivelit të lartë) kanë ndikuar shumë në zhvillimin e Shqipërisë sidomos pas shembjes së diktaturës komuniste. Po duket se kjo dukuri është marrë si model nga shtetet që tashmë kanë ecur shumë më larg se Shqipëria në zhvillim sikur që ishin Italia, SHBA, Brazili, Argjentina, Dubai, Kina, Mbretëria e Britanisë së Madhe dhe shumë shtete tjera ku mafia kishte rol përcaktues për zhvillim, e pastaj u zëvendësua me një shtet ligjor duke mos e përjashtuar ende ndikimin e mafias, tashmë si politikanë.
Nëse e bëni një krahasim të Shqipërisë të viteve të 90=ta me Shqipërinë e sotme, dallimi është i pakrahasueshëm. Madje, asnjë shtet i rajonit nuk është zhvilluar si Shqipëria në këtë periudhë kohore.
Shqipëria ka përfituar shumë edhe nga emigracioni i hershëm në SHBA dhe ai pas shembjes së komunizmit e që ishte më i theksuar në Itali dhe Greqi. Për dallim nga emigracioni kosovar, ata të Shqipërisë kapitalin e fituar, pavarësisht pastërtisë, e investuan në Shqipëri kurse këta të Kosovës e që e kishin kapitalin e fituar kryesisht me djersë dhe shumë mundime e investuan duke ndihmuar familjet dhe duke ndërtuar shtëpi. Kurse kapitali i fituar në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë u bartë në vende yë tjera apo u fsheh duke u shndërruar në kapital të vdekur.
Edi Rama në Shqipëri u bë person karizmatik pasi e “vrau” babain politik, Fatos Nano, pas së cilës, pos liderit të PS-së u bë edhe personalitet i pakontestueshëm dhe pakonkurrencë i politikes shqiptare.
Aktualisht në Shqipëri nuk ka konkurrencë, as në PS e as në nivel kombëtar për faktin se Lulëzim Basha ishte fort i qullët në bërje të opozitës kurse aktualisht Salih Berisha më shumë e forcon Ramën se si alternativë e vetme e që e rrezikon.
Sali Berishën e nxorën nga loja amerikanët duke e shpallur “non gratta” kurse Ilir Metës i rri mbi qafë “Shpata e Demokleut“ e personifikuar si SPAK dhe, pa asnjë dyshim duket se as amerikanët nuk e kanë ndonjë simpati të madhe për të për shkak të përpjekjeve për të penguar reformat në drejtësi.
Duket se aktualisht Ilir Meta nuk ka të ardhme politike por vetëm të kaluar politike në kohën kur e tashmja përfundon shumë shpejt. Në mungesë të konkurrencës politike në Shqipëri dhe ringjalljes së shpresave në trojet tjera ku jetojnë shqiptarët se Edi Rama është edhe kryeministër i tyre, edhe në Kosovë krediti politik dhe kombëtar i Edi Ramës ishte në nivelet më të larta deri në çastin kur Albin Kurti fitoi 51 % të votave në Kosovës që i dhanë fuqinë e Zeusit të cilin, deri në këtë kohë e kishte Edi Rama.
Tirana ishte Orakulli ku Zeusi (Edi Rama) pyetej për çdo gjë kurse Prishtina ishte një Bujtinë ku shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi, kryesisht të hasmuar mes veti kërkonin këshilla nga udhëheqësit kosovarë, jo për t’i zgjidhur problemet politike, por për ta luftuar dhe eliminuar kundërshtarin politikë i cili ishte shqiptar.
Më parë kishte përpjekje edhe në Maqedoninë e Veriut përmes “Pykës së Albinit”, Zijadin Selës i cili nuk arriti asnjëherë ta sfidojë autoritetin e Udhëheqësit të Madh të Popullit Shqiptar (cilësim dhe glorifikim i Ismet Sylejmanit) Ali Ahmetit dhe tashmë Sela, nga një zëdhënës i Albinit për ndryshime në këtë shtet u shndërrua në një tullumbace të shfryrë që fluturon nga e bartë era.
Është një fakt që nuk mund të mohohet se askush si Albin Kurti nuk e ka fituar pushtetin më me shumë mund, punë dhe vuajtje. Makiaveli është zero për Albin Kurtin, një amator përshkrues siç ishte fillimisht edhe Albin Kurti por që, në kohën e duhur kur i duheshin 51 % të votave veproi me një saktësi të jashtëzakonshme duke i bërë llogaritë pikërisht si duhet dhe ashtu edhe i doli.
Kjo fitore e Albinit e vuri përballë Edi Ramës ndaj të cilit një numër i lexueshëm i kosovarëve kishte kompleks inferioriteti të theksuar dhe të cilin donin ta shëronin duke e përdorur Albin Kurtin si terapi.
Edhe Albinit kjo i situatë i pëlqente sepse mendonte se Bujtinën e Prishtinës do ta shndërronte në Orakull dhe se ai do të shndërrohej në Zot i të gjithë zotave – Zeusi vetë. I doli shumë gabim.
Ideologët e Tiranës e këshilluan që ta shtrijë autoritetin dhe pushtetin edhe në Shqipëri përmes pjesëmarrjes në zgjedhje ku edhe pësoi fijasko të paparë dhe të papritur aq më parë që sondazhet, mbase të porositura, e bënin pjesë të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo humbje dhe ky turpërim vetëm sa e forcoi egon e Kurtit se para Ramës nuk duhet të dorëzohet me asnjë kusht dhe me asnjë çmim.
Ky qëndrim ishte paracaktuar të dështonte aq më parë që Rama e luajti lojën e demokratit dhe të durueshmit duke mos e sulmuar fare Kurtin.
Ballkani i Hapur është vetëm preteksti i vazhdimit të luftës së Albin Kurtit kundër Edi Ramës kurse konteksti është egoja e cenuar e Albin Kurtit përballë Edi Ramës. Pra, nuk mund të flitet për parime politike, njerëzore, morale e aq më pak për ato kombëtare por thjesht po luftohet kush do të jetë zotërues i Orakullit qoftë edhe për një mandat të vetëm.
Albin Kurti i ka pasur të gjitha mundësitë të shndërrohet në një lider kombëtar dhe politik po të mos i shkelte të gjitha parimet e proklamuara nga vet ai, si parime të panegociueshme.
Ndonëse është kryeministër me më së shumti vota në Kosovë, me një shpejtësi të pabesueshme po shndërrohet vetëm në një lider të një pjese të Vetëvendosjes, as i krejt Vetëvendosjes. Me një fjalë, Edi Rama përveç se është kryeministër i Shqipërisë në të njëjtën kohë ka edhe një post më të rëndësishëm; është burrështetas i Shqipërisë sepse merr vendime edhe në rast se nuk pajtohet me to, por që llogaritë se i bëjnë mirë Shqipërisë.
Për ta thjeshtësuar analizën e them se Edi Rama është kryeministër dhe lider strategjik kurse Albin Kurti, kryesisht me fajin e vet po shndërrohet në kryeministër të çastit që mbijeton në saje të lëvizjeve taktike e sidomos shkaku se opozita e Kosovës nuk ka asnjë interesim ta rrëzojë nga pushteti e as ta marrë pushtetin edhe në rast se Albini do të bie nga fiku!
A do të rrëzohet Albini në muajin shtator: Nga doli një informatë se në Takimin e Ohrit për Ballkanin e Hapur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paska thënë se deri në muajin shtator do ta rrëzojë Albin Kurtin dhe në Kosovë u aktivizua refleksi automatik i konspiracionit për rrëzim të Kurtit dhe të atyre që nuk iu ha palla aspak nëse do të rrëzohet Kurti por se janë të brengosur për postet që pameritueshëm i mbajnë, kryesisht përmes servilizmit dhe të cilët kanë mungesë të theksuar të dijes dhe profesionalizmit e që i bëjnë lëvyrës dhe njerëz pa vlera.
Natyrisht se këta janë vënë në mbrojtje të Albin Kurtit. Vizita e Edi Ramës familjes së Hashim Thaçit në Burojë e që po mbahet si rob i pasluftës me të arrestuarit tjerë në Hagë dhe fjalët e mëdha që i përdori për Hashim Thaçin , e hidhëruan shumë kryeministrin Kurti aq më parë që edhe në kohën kur Hashim Thaçin e kanë lidhur këmbë e duar, Albini e konsideron Thaçin si armik personal.
Pastaj, takimi i Edi Ramës me një grup biznismenësh kosovarë e që e organizoi Kompania Devolli që i ka shpërthyer kufijtë e Kosovës me suksesin në biznes , ishte edhe një mëlmesë e hidhur për Albinin dhe një bakllava për Edi Ramën.
Si një qershizë mbi torte për ta dëshmuar konspiracionin ishte darka e Edi Ramës me përfaqësues të mediave që konsiderohen si kundërshtarë të kryeministrit Kurti. Në vend se të konsiderohet si Darka e Lamës e që do të kalohej në hajgare, po e cilësojnë si Darka e Fundit ku u vendos të tradhtohej dhe kryqëzohej Krishti ( Albin Kurti). Të mos pajtohesh me politikat e një kryeministri nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe organizim për rrëzim të tij.
Më kujtohet, po besoj edhe juve lexuesa të nderuar se pjesa më e madhe e opinionistëve që morën pjesë në Darkën e Fundit (Darkën e Krishtit) dikur ishin kundërshtarë të mëdhenj të Edi Ramës dhe përkrahës të fuqishëm të Albin Kurtit. Madje, vullnetarisht e përkrahnin Albin Kurtin para zgjedhjeve të fundit me shpresë se një qeverisje e vjetër që personifikohej me klasën e kaluar politike dhe që cilësohej si e keqe do të zëvendësohet me një qeverisje të re të një klase të re të idealistëve politikë që udhëhiqeshin nga Albin Kurti e që besohej se do t’i kthente shpresat për një jetë më të mirë.
Deri më tani, shkaku i rrethanave objektive dhe subjektive nuk ka asnjë ndryshim për kthim të shpresës për një jetë më të mirë. Ju kujtohet që një opinioniste e jashtëzakonshme, shumë e kthjellët dhe e guximshme, Kimete Berisha para zgjedhjeve të fundit, ka përdorur të gjitha armët që i ka pasur në dispozicion në përkrahje të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, përveç armatimit bërthamor kurse, pas zgjedhjeve të fundit, kur ka filluar ta shfaqë një qëndrim mospajtues me Vetëvendosjen dhe kryeministrin Kurti i është nënshtruar një linçimi të paparë dhe të paskrupullt nga “vrasësit” dhe qitësit e LVV-së, kujdestarë 24 orë të rrjeteve sociale. Kurrë nuk keni parë ndonjë reagim ndaj këtij linçimi.
Albin Kurti është dashur ta bëjë një dallim dhe prerje midis liderit të opozitës dhe kryeministrit të mandatuar. Nëse ka fituar vota duke e sulmuar qeverisjen 20-vjeçare dhe duke i cilësuar publikisht udhëheqësit e UÇK-së, tash ish-udhëheqës institucionalë si kriminelë, duke shfaqur ngazëllim për arrestimin e tyre dhe duke e arsyetuar edhe tash se dështimet e qeverisjes së tij janë pasojë e asaj qeverisjeje e jo se e ka një kabinet qeveritar të padijshëm, me mungesë të theksuar të profesionalizmit të cilët vendin e parë të punës e kanë si bartës servilë të këtyre posteve, më askujt nuk ia ndien arsyetimi meskin që, si kor i papagajve e përdorin ministra e z.ministra, që korrupcionin, nepotizmin dhe kapjen e institucioneve e kanë shndërruar në art!
Nuk i takon kryeministrit Kurti që të deklarohet për fajësinë apo pafajësinë e pengjeve të Hagës por se tash, si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës i takon ta luaj rolin që ia siguron mandati, të mos bëjë dallime dhe të mos shfaqë urrejtje ndaj qytetarëve të Kosovës që janë në Hagë për shkak të armiqësisë personale që e ka pasur apo që e ka ende.
Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar të burgosurit e Hagës ( jo të gjithë) pse këtë nuk e ka bërë edhe kryeministri Kurti por ka dërguar bedelë të paguar që t’i vizitojnë ndonëse nuk kanë dashur t’ua shohin as sytë. Kur bedelët e mëparshëm i dështuan, kryeministri Kurti deklaroi se do të vizitojë ( në një të ardhme të papërcaktuar) dhe në ndërkohë shkoi një udhëheqës i lartë i partisë së tij , i shoqëruar nga një patriot i përmasave mbarëkombëtare por se Kurti e la, për më vonë! Këto nuk mund të cilësohen ndryshe përevç se përpjekje të ndyra që në kurriz të fatkeqësive të të tjerëve, qoftë të viktimave, qoftë të atyre që akuzohen se i kanë shkaktuar këto viktima, të përfitohet politikisht! Asgjë tjetër!
Nëse dikush nga LVV –ë mund të brengoset se Kurti mund të rrëzohet nga pushteti e që nënkupton se do të shndërrohen në vdekatarë të rëndomtë, pa mundësi të hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë që i konsiderojnë armiq, pa mundësi që t’i punësojnë edhe familjarët, miqtë dhe jaranat e mbetur përkohësisht pa punë, pa mundësi të realizojnë edhe shumë marifete të tjera, me një siguri të madhe iu garantoj se askush nuk ka interesim ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti edhe nëse në rast se iu krijohen kushtet. I vetmi njeri që mund ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti është vet Albin Kurti , nëse e vlerëson se përmes këtij rrëzimi do të fuqizohet politikisht.
Albin Kurti, edhe nëse rrëzohet ka dëshirë të rrëzohet si viktimë për t’u rikthyer duke kaluar në procesin e viktimizimit. Askush më nuk do ia jepë atë mundësi sepse askush nuk është më politikisht i marrë. Herën e fundit, për rrëzim ishte fajtor Richard Grenell dhe Donald Trump, përmes instrumenteve politike të vendit. Tash, për ta rrëzuar nuk kanë interesim as Blinken e as Biden aq më parë që në arenën ndërkombëtare Albin po paraqitet si kryeministër i Ukrainës, kurse Vjosa Osmani si presidente e Ukrainës.
Prandaj nuk po kanë kohë të merren me problemet reale të qytetarëve të Kosovës të cilëve, për shkak të situatës së përgjithshme objektive nuk ka mundësi t’ua zgjidhë ato probleme por ka mundësi dhe detyrim t’ua lehtësojë ato. Aq më pak është i interesuar ta rrëzojë Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili e ka lexuar Kurtin aq mirë saqë është i interesuar që Kurti të qëndrojë sa më gjatë në pushtet sepse më nuk ka të panjohura sa i përket Kurtit kurse me një lojtar tjetër do të luhej një lojë tjetër që, më shumë do ta relativizonte lidershipin e Babait të Kombit të edi Ramës se që do ta vinte në pikëpyetje! Për mua është befasuese, e çuditshme por edhe e papranueshme që historia të shkruhet dhe rishkruhet nga çdo klasë politike që i fiton zgjedhjet, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Shqipëria dhe Kosova, nëse nuk bashkohen e që të gjitha kushtet janë për bashkim, do të ngelin provinca të Ballkanit, Evropës dhe të Botës, pa ndonjë ndikim në procese politike dhe zhvillimore.
Mbetet të shihet nëse kryeministri i Ukrainës, Albin Kurti dhe presidentja e Ukrainës, Vjosa Osmani do të mbrojnë integritetin e Ukrainës, me Donbasin dhe Lluhanskin Brenda. Në të kundërtën nuk ka asnjë pengesë që kryeministri i Kosovës, Zielinski të shpallë bashkimin apo rikthimin e territorit të Kosovës në Shqipëri e që padrejtësisht ishte pushtuar nga Serbia (Rusia).
Prandaj, nuk ka opozitë në Kosovë, qoftë ajo politike, parapolitike apo mediatike që është e interesuar dhe që mund ta rrëzojnë Albin Kurtin. Albin Kurtin mund ta rrëzojnë proceset politike dhe vendimet që duhet të merren sikur edhe injorantët parazitë që janë pajisur me poste të pamerituara. Po mos të ishin të tillët nuk do të detyroheshin ta bëjnë punën m… dhe pastaj të detyrohen ta hanë pikërisht atë që e kanë bërë sikur me rastin e Gazsjellësit amerikan dhe të Sunny Hill.
Fillimisht i refuzuan, tani, të penduar dhe pas analizave të“ thella“ dhe plotësimit të dokumentacionit po i pranojnë! Krejt në fund, po t’i konvenonin LV-së zgjedhjet e parakohshme, ata vetë do ta rrëzonin qeverinë duke shfrytëzuar dy mundësi të arta ku deputetët e tyre mund të marrin në thua: votimin e Kodit Civil për martesa të gjinisë së njëjtë dhe tërheqja e mjeteve nga Trusti!