Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA) e nënshkruar me Bashkimin Evropian dhe e cila ka filluar së zbatuari, nuk i ka dhënë efektet e pritura për bizneset kosovare, e sidomos ato prodhuese. Kjo marrëveshje është derë e mbyllur për bizneset vendore, po që se nuk kemi liberalizim vizazh.
Kështu thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, i cili thekson se “e tëra kjo që që është duke ndodhur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit më tepër i përngjan një shtëpie shumë të bukur me një fasadë atraktive, mirëpo pa derë hyrëse dhe dalëse”.
“Që të kemi efekte pozitive nga një marrëveshje e tillë ne duhet të kemi liberalizim dhe derisa nuk e kemi liberalizimin, atëherë si mund të promovohet eksporti i produkteve kosovare”, thotë ai.
Sa i përket Buxhetit të vitit 2017, i cili për herë të parë arrin shifrën mbi 2 miliardë euro, ai thotë se ky buxhet nuk është “shkop magjik” për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara nga e kaluara në Kosovë.
Ai ka thënë se buxheti duhet të analizohet nga dimenzioni ekonomik dhe jo me konatacion politik, që ky buxhet të gjeneroj efekte multiplikative ekonomike, të gjeneroj punësim, prodhim dhe të përmirësojë indikatorin e bilancit të pagesave dhe të promovojë sa më tepër brendet dhe produktet Made in Kosova.
“Besoj që disiplina financiare e dëshmuar në vitin 2016 dhe ndalja e tenderomanisë masive do të reflektojë një mundësi të tillë që të kemi mbështetje dhe të arrihet kjo kuotë më tepër se dy miliardë euro buxhet për zhvillimin dhe për qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës”, thotë ai.
Gërxhaliu ka folur edhe për situatën e bizneseve, duke thënë se shqetësuese është konkurrenca jolojale e cila e dëmton prodhimin vendor.
“Korrupsioni, burokracia, nepotizmi, prokurimi, janë një mori problemeshe, por derisa nuk e kuptojmë që ëmëruesi i përbashkët për zgjidhjen e këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit, Kosovës i duhet një substancë zhvillimore dhe ajo mund të garantohet vetëm me sundim të rendit dhe ligjit të bazuar në ekspertizë shkencore”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket investimeve të huaja që edhe këtë vit kanë shuar rënie krahasuar me vitin e ksluar, Gërxhaliu ka thënë se situata politike dhe pamjet e krijuara në Kuvendin e Kosovës, kanë ndikuar negativisht në trembjen e investitorëve të huaj.
“Në disa galeri të fotografive në vitin 2016 pothuajse pamjet e Parlamentit të Kosovës kanë qenë më të zgjedhurat, kjo dëshmon më së miri sa është dëmtuar Kosova nga këto pamje edhe në aspektin ekonomik, por mbi të gjitha në aspektin strategjik dhe në aspektin e imazhit. Një shtet me një imazh të tillë është e pamundur të jetë atraktiv për investitiorët e huaj dhe shqetësuese është pse askush nuk e ka frikën se çka është duke ndodhur më rënien dhe ikjen e investimeve dhe investitorëve të huaj”, thotë Gërxhaliu.
Ai flet edhe për bilancin tregtar dhe përmirësimin e tij, dështimin e privatizimit të Brezovicës dhe se çfarë qasje duhet pasur ndaj saj, për Pakon e re Fiskale dhe ndikimit të saj te bizneset, për papunësinë e çështje tjera…
INTERVISTA E PLOTË:
EO: Buxheti 2017 i cili është miratuar ditë më parë, a është buxhet zhvillimor, apo siç po konsoderohet i ndërtimit të rrugëve?
Gërxhaliu: E keni prekur një temë mjaftë interesante, një debat që ka qenë mjaftë karakteristik sa i përket buxhetit të Qeverisë së Kosovës për vitin 2017 në traditën time kundër ose rreth buxhetit zhvillohen debate në realicon pozitë-opozitë dhe për herë të parë kemi parë një debat mjaftë të ashpër mes partnerëve të koalicionit, dhe ajo çka është më interesnte shumëkush që lexon mes rreshtave mund të kuptojë që ndoshta ky art i debatit rreth buxhetit është një paralajmërim që viti 2017 do të jetë vit i zgjedhjeve politike. Mirëpo në përgjithësi mendoj që është një buxhet i cili ka një rëndësi sa ekonomike aq edhe psikologjike, sepse për të parën herë është më tepër se 2 miliardë euro. Dhe në qoftë se analizoni një Maqedoni, e cila është me probleme të natyrave të shumta dhe miraton një buxhet më tepër se 3 miliardë euro, besoj që duhet të na prekë në sedër. E dyta, duhet të analizohet me një dimenzion ekonomik dhe jo gjithmonë më ngjyrë dhe konatacion politik dhe për mua kishte me qenë e rrugës që të dëgjojë debate si të rritet mundësia që ky buxhet të gjenerojë efekte multiplikative ekonomike, të gjenerojë punësim, të gejenerojë prodhim dhe të përmirësojë indikatorin e bilancit të pagesave dhe të promovojë sa më tepër brendet dhe produktet Made in Kosova. Është e vërtetë që pjesa dërrmuese e buxhetit do të jetë i paragjykuar për infrastrukturë, por esenca e kësaj infrastrukure është që të bëjmë presion sa më tepër të kemi shfrytëzim të lëndës së parë nga Kosova, të kemi sa më tepër fuqi punëtore të involvuar në këto projekte nga Kosova dhe jo të përsëriten rastet si nga e kaluara kur kompanitë që kanë fituar më së shumti projekte të financuara nga qytetarët e Kosovës, jo që nuk kanë gjeneruar efekte pozitive, por as ujin si ujë nga Kosova nuk e kanë përdorur për punëtorët e vet. Prandaj është koha kur duhet të kërkohet performancë më e mirë, e cila bazohet në sundim të rendit dhe ligjit, në ekspertizë shkencore, dialog dhe partneritet.
EO: Ky buxhet dy miliardësh a premton zhvillim ekonomik?
Gërxhaliu: Duhet të kuptohet që asnjë buxhet nuk është shkop magjik që t’i zgjidh problemet e grumbulluara nga e kaluara në Kosovë. Esenca është që ta kemi një buxhet, i cili më tepër se 1.7 miliard euro janë nga të hyrat dhe pjesa tjetër të jetë motivim shtesë për ta avancuar partneritetin me partner strategjik, në rend të parë me Bankën Botërore, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por edhe me institucione tjera financiare dhe besoj që disiplina financiare e dëshmuar në vitin 2016 dhe ndalja e tenderomanisë masive do të reflektojë një mundësi të tillë që të kemi mbështetje dhe të arrihet kjo kuotë më tepër se dy miliardë euro buxhet për zhvillimin dhe për qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
EO: Z. Gërxhaliu a mund të na tregoni se cila është situata biznesore në terren?
Gërxhaliu: Si Odë Ekonomike bëjmë analiza të shumta, ekemi një info indikator që e masin konjukturën e disa sektorëve në Kosovë në periudhë tre mujore dhe nuk kemi arsye për të qenë të kënaqur përkundër asaj që kemi raporte pozitive nga vlerësues siç është Banka Botërore dhe raporti i të bërit biznes. Ajo që është më substanciale është se çka mendon komuniteti i biznesit dhe qytetarët e Kosovës dhe në këtë drejtim mund të identifikojmë probleme të shumta për të bërë biznes në Kosovë: Është korrupsioni, burkracia, nepotizmi, prokurimi, janë një mori e këtyre problemeve. Por derisa nuk e kuptojmë që ëmëruesi i përbashkët për zgjidhjen e këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit, Kosovës i duhet një substancë zhvillimore dhe ajo mund të garantohet vetëm me sundim të rendit dhe ligjit të bazuar në ekspertizë shkencore.
EO: Bizneset ballafaqohen me një konkurrencë jo të drejtë..?
Gërxhaliu: Po në momentin kur identifikohet sundimi i rendit dhe ligjit si pika më e dobët e një shteti, atëherë lindin dukuri të shumta negative dhe përveç korrupsionit, burokracisë dhe problemeve me prokurim, e kemi një ekonomi informale, e cila e dëmton Kosovën në aspektin intern dhe në aspektin ekstern. Dhe më shqetësuese që gjenerohet nga ky informalitet është konkurrenca jolojale e cila e dëmton prodhimin vendor. Duke pasur parasysh faktin që jemi të bllokuar në shumë forma përmes barrierave për të eksportuar në vendet e rajonit dhe më gjerë, një konkurrencë e tillë e dëmton dhe e ngulfatë zhvillimin e sektorit privat. Duhet të bëjmë më tepër që sundimi i rendit dhe ligjit të jetë më tepër në funksion dhe në Kosovë flitet për krizë ekonomike që është realitet, por gjeneza e krizës ekonomike në Kosovë është kriza juridike. Po të kemi sistem juridik të mirëfilltë, atëherë ne do të kemi zhvillim ekonomik, do të kemi edukim, shëndetësi dhe shumë vlera tjera që Kosovës i duhen si kurrë më parë.
EO: Këtë vit kemi rënie të investimeve të huaja, pse kjo rënie?
Gërxhaliu: Agjenda politike në Kosovë është dominuese viteve të fundit dhe kësaj kur t’i shtohet fakti që në disa galeri të fotografive në vitin 2016 pothuajse pamjet e Parlamentit të Kosovës kanë qenë më të zgjedhurat dëshmon më së miri sa është dëmtuar Kosova nga këto pamje edhe në aspektin ekonomik, por mbi të gjitha në aspektin strategjik dhe në aspektin e imazhit. Një shtet me një imazh të tillë është e pamundur të jetë atraktiv për investitiorët e huaj dhe për mua është shqetësuese jo miratimi i buxhetit, jo orientimi i buxhetit në asfalt, ose diku tjetër, por pse askush nuk e ka frikën se çka është duke ndodhur më rënien dhe ikjen e investimeve dhe investitorëve të huaj, në veçanti kur vendet e rajonit janë mjaftë atraktive për të absorbuar investitorë dhe investime të huaja. Paramendoni një Maqedoni në vitin 2015 ka arritur të ketë më tepër se 4.5 miliardë eksporte, një Serbi ka arritur të ketë më tepër se 14 miliardë eksporte, një Mali i Zi që në aspektin numerik të popullatës është sa një e treta e Kosovës ka arritur të ketë eksporte pothuajse sa Kosova. A nuk janë këto shifra, që vërtetë duhet të na shqetësojnë dhe për investitorët e huaj më tepër të bëhet sesa të flitet. Nga pozita e kryetarit të Odës ekonomike kam tentuar të jem aktiv në këtë drejtim dhe shpesh i kam shtruar pyetje vetes se çka i ofrojmë investitorëve të huaj. E rëndësishme është që nuk mund të jemi atraktiv për investitorët e huaj, në qoftë se nuk e mbrojmë më tepër ndërmarrësinë vendore, bizneset kosovare dhe nëse nuk fillojmë ta ngrisim vetëdijen e qytetarëve që ta kemi një dozë nacionalizmit ekonomik, i cili për fat të keq është ulur në çdo nivel. Nuk mund të flitet për investitorët e huaj, në qoftë se në këtë kontest nuk analizohet potenciali i diasporës kosovare. Në qoftë se diaspora është e zhgënjyer deri në atë masë dhe nuk investon në Kosovë, si mund të vijnë të tjerët për të investuar në Kosovë.
EO: Çfarë duhet bërë për t’i tërhequr investimet e huaja?
Gërxhaliu: Në rend të parë duhet diplomacia ekonomike të jetë ë fokusuar në këtë drejtim dhe derisa në shumë ambasada kosovare shumë më tepër kemi politikanë dhe atshe ushtaraka, patëherë për aspektet ekonomike flitet shumë pak. Në këtë drejtim diplomacia ekonomike duhet të jetë më aktive dhe e dyta ne nuk mund të kemi diplomaci aktive në qoftë se nuk kemi dëshi që sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë është në përmirësim e sipër. Prandaj, na presin shumë sfida në vitin tjetër dhe nuk kemi arsye për komoditet, por duhet ti përvishemi punës dhe për zhvillimin ekonomik të bëhet më tepër sesa të flitet.
EO: Marrëveshja për Stabilizim Asociim sa ka ndikuar tek bizneset që të rrisin eksportin?
Gërxhaliu: Një marrëveshje e tillë ka multidimensionalitet, sa është e rëndësishme në aspektin ekonomik është e rëndësishme në aspektin politik, sa është në aspektin politik është në aspektin strategjik, por është edhe në aspektin integrues. E kemi mbështetur dhe kemi menduar që është një ndër të arriturat më të mëdha në forcimin e partneritetit në mes Kosovës dhe Evropës. Por, e tëra kjo që është duke ndodhur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit më tepër i përngjan një shtëpie shumë të bukur me një fasadë atraktive, mirëpo pa derë hyrëse dhe dalëse. Që të kemi efekte pozitive nga një marrëveshje e tillë ne duhet të kemi liberalizim dhe derisa nuk e kemi liberalizimin, atëherë si mund të promovohet eksporti i produkteve kosovare, si mund të bartet teknologjia dhe transferi i teknologjisë bazuar në “Now How” nga Evropa dhe Bota pa lëvizje. Është koha që kjo marrëveshje të përcillet me liberalizim, çka është më interesante në Kosovë shumë më tepër flitet për integrim politik, sesa për integrim ekonomik. Pritjet nga sektori privat dhe komuniteti i biznesit kanë qenë shumë më të mëdha se sa mundësitë. Por mundësitë krijohen në momentin kur do të kemi liberalizim.
EO: Pse kjo marrëveshje është pa derë hyrëse dhe dalëse?
Gërxhaliu: Definitivisht kjo është një pamundësi që të shfrytëzohen krejt ato që i ofron marrëveshja në qoftë se nuk kemi liberalizim. Dhe besoj që ata që dëshirojnë ta promovojnë këtë marrëveshje si storie të suksesit e kanë të drejtën ta promovojnë kur kjo marrëveshje përcillet me liberalizim, i cili jep vlerë të shtuar rëndësisë strategjike dhe ekonomike.
EO: Kemi një dallim sa i përket bilancit tregtar?
Gërxhaliu: Në Kosovë nuk mund të ketë perspektivë ekonomike në qoftë se ne edhe më tutje vazhdojmë të eksportojmë para të gatshme. Në qoftë se e analizoni këmbimin tregtar në mes Kosovës dhe vendeve të tjera është një disproprcion shumë i madh. Dhe nuk mund të kemi vende të reja të punës në qoftë se paraja nuk mbetet në Kosovë dhe në këtë drejtim sa më tepër që eksportojmë para të gatshme në e forcojmë varfërinë dhe krizën ekonomike dhe sociale në Kosovë. Prandaj është koha kur duhet të bëhet më tepër që sektori privat të jetë më i fuqizuar që vetëdijesimi i qytetarëve të jetë i përmirësuar që të kemi orientim drejt prodhimit vendor. Dëmi më i madh i një shteti është në qoftë se ai shtet apo ajo shoqëri shndërrohet i varur nga importi. Një shtet i varur nga importi e ka shumë të vështirë ardhmërinë, e cila duhet të bazohet në stabilitet social, politik dhe në përshpejtim të proceseve integruese. Dhe këto nuk mund të arrihen pa zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri ekonomike.
EO: Privatizimi i Brezovicës ka dështuar, çfarë qasje duhet ta kemi ndaj saj?
Gërxhaliu: Problemi me Brezovicën tregon që është vazhduar nj ëtrend negativ i procesit të privatizimit, u karakterizuar me krejt atë që ndodhi me Ligjin për Trepçën, me atë që shtë duke ndodhur me Post Telekomin e Kosovës dhe me sfidat që e presin këtë ndërmarrje me arbitrazhet e ndryshme dhe kësaj i shtohet fati i Brezovicës, ka qenë një grusht i rëndë për ekonominë dhe proceset ekonomike në Kosovë. Besoj që është marrë me letësi ky proces edhe pse rëndësia e provatizimit të Brezovicës është multidimensionale, sa ka rëndësi ekonomike ka rëndësi sociale, sa ka rëndësi sociale ka rëndësi politike, por mbi të gjitha e ka komponentën multietnike, e cila e bënë të veçantë Brezovicën. Dhe besoj që me këtë përgatitje për proces të privatizimit është dashur të ketë më tepër involvim të sektorit privat dhe shoqërisë civlile dhe mbi të gjitha një transparencë dhe dialog të mirëfilltë. Por, nëse tërhiqet një paralele në mes procesit të privatizimit të Telekomit të Kosovës dhe Brezovicës, atëherë ka lindur një fat në tragjedi që nuk është nënëshkruar një dokument paraprak që kompania në fjalë të paditë Qeverinë e Kosovës në Gjykata të Arbitrazhit dhe të ndodhë sikur ajo që është duke ndodhur me Axosin dhe Telekomin e Kosovës. Prandaj është koha ku në këtë drejtim duhet të mësohet në pësimet e gabimeve të kaluarës dhe procesit të privatizimit të Brezovicës t’i qasemi me një qasje tjetër. Të promovohet, të dialogohet dhe të ofertohet dhe në këtë drejtim besoj që në qoftë se këto aktivitete bazohen në sundim të rendit dhe ligjit dhe janë të fokusuara në studim të fizibilitetit dhe në eksoertizë, atëherë do të jetë shumë e vështirë të dështojë.
EO: Sipas Buxhetit të vitit 2017 rritja ekonomike pritet të jetë prej 4%, kjo rritje ekonomike a do të ndikoj në rritjen e punësimit, pasi që osova karakterizohet me një shkallë të lartë të papunëisë?
Gërxhaliu: Kam frikën që viteve të fundit më tepër po përdoret dekori se sa substanca. Për mua rritja ekonomike 2% e cila bazohet në disa indiktorë ekonomikë pozitivë është shumë më substanciale se 6% e bazuar vetëm në konsum dhe shpenzime. Në këtë drejtim në qoftë se do të kemi rritje të investimeve të huaja, do të kemi krijim të vendeve të reja të punës, do të kemi kontraktim të punëve të kompanive kosovare në vendet e treta dhe më gjerë dhe do të kemi përmirësim të bilancit të pagesave po të ketë 2% është satisfaksion dhe të kemi 4% bazuar në një indikator sic është konsumi nuk është diçka që gjeneron substancë zhvillimore. Ky trend i një indikatori me kalimin e kohës duhet të ndryshojë dhe të paktën vitin vijues të kemi përmirësim të bilancit të pagesave me kusht që paraja të mbetet në Kosovë dhe gjithmonë të eksportohet duke importuar mallra nga jashtë. Ky 4 përindësh nuk na jep komoditet për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike, për të garantuar stabilitet social dhe për të promovuar ndërmarrësinë dhe sektorin privat në Kosovë.
EO: Papunësia karakterizohet me një shkallë të lartë…?
Gërxhaliu: Definitivisht njëri ndër indikatorët ky që ndikon në rritjen ekonomike është krijimi i vendeve të rjea të punës. Dhe në qoftë se e kemi këtë shkallë të papunësisë, e kemi këtë shkallë të varfërisë ekstreme dhe të varfërisë në përgjithësi është një kohë e cila duhet të na motivojë shumë më tepër për të punuar, për të përmirësuar një gjendje të tillë. Nuk i bëhet nderë Kosovës, në qoftë se çdo i ri e ka ëndërr të dalë jashtë Kosove, por duhet të krijohet një perspektivë që ky kapital njerëzor të mbetet në Kosovë. Ata mbesin në Kosovë vetëm nëse iu ofrojmë një ardhëmerie të qartë. Për momentin nuk jemi duke e bërë këtë duke pasur parasysh faktin që agjenda politike është dominuese dhe e stërngarkuar me aktivitete të ndryshme.
EO: Pakoja e re Fiskale sa ka ndikuar tek bizneset, e cila edhe ka qenë shpresdhënëse për bizneset?
Gërxhaliu: Vetëm në Kosovë mendohet se do Pako e re Fiskale sot të fillojë të zbatohet dhe me automatizëm ti jep efektet e veta pozitive. Ka kaluar koha kur njerëzit të investojnë sot dhe nga nesër të fitojnë. Duhet të bëhen projeksione nga dimensioni kohor. Çka pas kësaj Pakoje Fiskale në dimensionin afatashkurtë, afatmesëm dhe afatgjatë dhe tek atëherë mund të vërehen efektet e Pakos Fiskale. Një pako e tillë ka rëndësi interne dhe eksterne. Në aspektin intern janë krijuar lehtësira dhe është një mundësi edhe për import të teknologjive, por edhe për investim në prodhim dhe krijim të vendeve të reja të punës. Në aspetin ekstern po ditëm ta promovojmë do të jetë një mundësi e cila do të jetë provokuese në apsektin pozitiv për investitorët e huaj.
EO: A ka vend për ndryshime te kjo Pako Fiskale?
Gërxhaliu: Si Odë Ekonomike jemi kategorik që duhet të zgjerohet lista e këtyre lehtësiarave. Jemi duke e përgatitur Pakon 2 me Ministrinë e Financave dhe të gjitha rekomandimet e që vijnë nga sektori privat dhe në veçanti nga sektori prodhues do të merren parasysh dhe do të jenë të bartura në Pakon Fiskale 2…
Intervistoi: Arsim Rashiti
Kamera: Liridon Zejnullahu