Komisioni Diciplinor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) sot ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore në ministri, Arton Mucajn, raporton Gazeta Sinjali.
Siç theksohet në vendimin që e ka siguruar Sinjali, kjo masë ndëshkimore vjen për shkak se ai ka lidhur kontrata jashtëligjshëm pa pëlqimin e ministrit, nuk i ka përmbushur detyrat e tij duke bërë shkelje të rënda të detyrave të punës.
Ai gjithashtu thuhet se ka nënshkruar kontrata për deponi, si dhe nuk ka raportuar te sekretari i Ministrisë rreth lidhjes së kontratave, duke mos e respektuar hierarkinë institucionale.
Komisioni Diciplinor paraprakisht i ka mbajtur tri seanca për këtë çështje, ndërsa më 1 korrik, sekretari i përgjithshëm i MTI-së ka parashtruar inicimin e procedurës diciplinore për Mucajn, për shkak të, siç konstatohej, shkeljeve të rënda të detyrave të punës.
Në arsyetimin për shkarkimin e Mucajt thuhet se ai “në pozitën e drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore ka tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tij ligjore nga pozita që mban, duke nënshkruar kontrata me palët për rezerva shtetërore për “Shërbimet e derivateve të naftës -dizelit si rezervë obligative shtetërore” si dhe për “Shërbimet e deponimit të produkteve agro-ushqimore dhe ujit si rezervë shtetërore”, kontrata me nr 2603 të datës 04.06.2020, pa e njoftuar mbikqyrësin/eprorin duke ju shmangul obligimeve që i ka me ligjet në fuqi”.