Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për 1 Majin, në të cilën ky i fundit theksoi se Qeveria është në anën e punëtorëve.
Në një postim kritik, Muharremi e kundërshton këtë pretendim, duke thënë se marrëdhënia reale e Qeverisë me punëtorët lidhet kryesisht me votat dhe taksat e tyre. Sipas tij, përfitimet konkrete për punëtorët mbeten të kufizuara, duke përmendur si shembull përjashtimin e rreth 300 mijë punëtorëve të sektorit privat nga paga e 13-të.
Ai shton se qasja e institucioneve është “armiqësore” ndaj bizneseve dhe sektorit privat, të cilët, sipas tij, punësojnë rreth tre të katërtat e fuqisë punëtore në Kosovo.
Muharremi kritikon gjithashtu Lëvizja Vetëvendosje për mungesë të dialogut social, duke theksuar se, ndonëse pozicionohet si parti e majtë, ajo ka pasur një histori të dobët në bashkëpunim me sindikatat dhe në konsultimin e tyre gjatë vendimmarrjes.
Sipas tij, marrëdhënia e Qeverisë me punëtorët dhe sektorin privat reduktohet në interes për vota dhe të ardhura tatimore, duke vënë në pikëpyetje përkushtimin real ndaj mirëqenies së tyre.