Analisti politik Arton Muhaxheri ka kritikuar mënyrën e organizimit të protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke vlerësuar se një reagim i tillë vetëm sa i shërben Qeverisë për të justifikuar vendimin e saj.
Në një postim në rrjete sociale, Muhaxheri ka ngritur dilema rreth seriozitetit dhe efektivitetit të protestës, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson një reagim të mirëfilltë qytetar.
“Çka është kjo protestë kështu? Kjo vetëm sa i jep arsye Qeverisë dhe autoritetit përkatës ta rrisë çmimin e energjisë, sepse ky nuk është reagim i vërtetë qytetar”, ka shkruar ai.
Sipas Muhaxherit, për një çështje jetike siç është shtrenjtimi i energjisë, protestat duhet të jenë të organizuara seriozisht dhe me qëllim të qartë.
“Ose bëjeni protestën si duhet, ose mos e bëni fare, sepse për një temë kaq jetike sa është shtrenjtimi i energjisë nuk organizohet një protestë vetëm sa për ta hequr gajlen”, ka theksuar analisti.
Ai ka vlerësuar se pa përfshirjen e partive opozitare, të cilat sipas tij kanë kapacitet për të mobilizuar qytetarë në numër të madh, çdo protestë tjetër mbetet simbolike.
“Pa organizimin e protestave nga partitë opozitare, të cilat kanë bazë të mjaftueshme për t’i bërë protestat shumë masive, çdo organizim tjetër do të jetë simbolik dhe i papërfillshëm”, ka shkruar Muhaxheri.
Në fund, ai ka kritikuar edhe vendin e mbajtjes së protestës, duke theksuar se përgjegjësia nuk qëndron te KEK-u, por te Qeveria.
“Nuk protestohet para KEK-ut, por para dyerve të Qeverisë, sepse dihet qartë se nga kush vijnë direktivat. Protesta para KEK-ut e amniston Qeverinë si për kaosin energjetik në vend, ashtu edhe për rritjen e çmimit të energjisë”, ka shtuar ai.