Muhaxheri: “Rusvaji” i vartësve të Skendës (Hysenit)

Prishtinë | 26 Dhj 2016 | 09:45 | Nga Agim Muhaxheri

Vartësit e ministrit të Brendshëm, Skender Hysenit, i “ndreqën” të vetët. Brenda një dite i çuan në burg 59 policë, të dyshuar për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës. Ryshfetin na e lanë “bakshish” otomanët. Ky ves i kundërligjshëm nuk matet me centë. Habitesh, kërkon që të “qerasin” me 5 euro…, ngulesh, shkon te vendi. Madje, ç’është më e keqja, fluturon nga puna.

Policët e doganës dhe të trafikut rrugor, shqiptarë dhe serbë, e kishin mbushur kupën. Kupa u zbraz brenda një dite. Vartësit e Skendës (Hysenit) ndërmorën aksionin e rrufeshëm. I paraburgosën të vetët, të dyshuar për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës.

Ndodhi rrëmuja, “rusvaji” policor, i pazakontë, i paparë në praktikën gjyqësore të pasluftës.
I çuan brenda hekurave 59 policë.
Gjykatësit e procedurës paraprake, të Mitrovicës dhe Prizrenit patën punë me ta dy ditë, meqë lënda e tyre ishte e “trashë”.

Ua caktuan masën e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak.
Shteti s’i kurseu të vetët. Ligji vepron “erga omnes”, njësoj për të gjithë, pra edhe për policinë.
Për ta u tha se kishin marrë ryshfet, prej 5 deri në 50 euro.

Ky akt i kundërligjshëm s’matet me centë. Habitesh, pranon që të “qerasin” me 5 e më tepër euro, shkon te vendi. Madje, ç’është më e keqja, fluturon nga puna.

Këtë ves otomanët ua lanë “bakshish” popujve të Ballkanit.
Ç’është ryshfeti ?

Ryshfeti nënkupton: Para ose diçka tjetër që i jepet falas nën dorë një nëpunësi ose punonjësi në detyrë që të bëjë një punë a një shërbim jashtë ligjit.

Sinonim i ryshfetit është korrupsioni. Fjalën “korrupsion” e përdorin më tepër politikanët, por edhe gratë e katundit, këto të fundit thonë: “Nuk o puna mirë, na myti korrupsioni…”.

“Korrupsioni” është fjalë e burimit latin që në interpretim të lirë do të thotë: Bashkëndarje – Unë ty, ti mua.
Policët, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni, haptazi kërkojë që t’ua “qerasësh” një kafe. Kafja mund të të kushtojë shtrenjtë.

Para luftës, milicia e Milosheviqit shqiptarët i torturonte në mënyra të ndryshme. I detyronin ngarësit e makinave që të shkojnë në filan kafen, të porosisin për ta pula në hell, raki, birra… Fatkeqi nuk e prishte lojën, u thoshte: “Razumem shefe” (U bë shef).

Matanë Shkodrës, në pikën kufitare të Malit të Zi i ke banderolat me vërejtjen: “Paraqiteni korrupsionin në këta numra të telefonit…”.

“Rusvaji” i vartësve të Skëndës (Hysenit), i tremb keqbërësit, të mos shkelin në zonën kriminale.
Kur polici shkel ligjin, ç’pret prej të tjerëve.

Ryshfeti s’është fruth, është sëmundje, dukuri që lë pasoja.
Çka piqet, vështirë hiqet.

 

Të ngjashme