Nga raporti i këshillit të bashkëpunimit rajonal (RCC), thuhet se rreth 57% e qytetarëve në Kosovë duan të largohen nga vendi i tyre.
Në një prononcim për Gazeta Blic, sociologu Artan Muhaxhiri, thotë se emigrimi është fenomen shumështresor dhe tejet kompleks, dhe e cilëson si një vendim të vështirë për t’u marrë.
“Mendimi, planifikimi dhe realizimi i emigrimit është fenomen shumështresor dhe tejet kompleks, sepse ngërthen elemente emocionale dhe racionale, subjektive e objektive, për veten dhe të tjerët. Është vendim jetik, jashtëzakonisht i vështirë për t’u marrë, i cili në mënyrë përcaktuese e ndryshon ardhmërinë e individit dhe familjes”, tha Muhaxhiri për Gazeta Blic.
Tutje Muhaxhiri tha se faktori kryesor i ikjes së të rinjeve është humbja e plotë e shpresave të qytetarëve ndaj institucioneve.
Ai gjithashtu tha se qytetarët kanë mirkuptim kur krizat janë të kohëpaskoshme, por kur ato shëndrrohen në stil të jetesës nuk është e durueshme.
“Ndër faktorët kryesorë është zhgënjimi i thellë ekzistencial dhe humbja e plotë e shpresave të qytetarëve ndaj sistemit institucional, pra konsiderimin e tij si të pafuqishëm për ta përmirësuar kualitetin e jetës. Njerëzit kanë mirëkuptim për kriza të kohëpaskohshme sociale, politike dhe ekonomike, mirëpo kur ato shndërrohen në stil të të funksionuarit strukturor – përkundër ndryshimit të liderëve shtetërorë dhe partive që i udhëheqin qeveritë, atëherë nuk është vështirë të parashikohet pandryshueshmëria e gjendjes së këtillë edhe për vite të tëra”, shtoi ai.
Sociologu tutje shtoi se shkaku i liberalizimit të vizave Kosova do të përballet me rrezik real për një eksod të të rinjve dhe fuqisë punëtore dhe se do të jetë lehtësim i procedurave të emigrimit.
“Shkaku i liberalizimit të vizave, nga janari i ardhshëm Kosova do të përballet me rrezik real për një eksod të të rinjve dhe fuqisë punëtore. Lehtësimi i procedurave të emigrimit, veçanërisht në Gjermani, do të kombinohet me mungesën si të strategjive efektive të qeverisë, ashtu edhe të potencialit opozitar për idejimin e zhvillimit ekonomik. Kësisoj do përplotësohen të gjithë parametrat më të rëndësishëm për biletën njëkahëshe të largimit prej Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas Muhaxhirit qeveria nuk mund ta luftojë krizen fundamentale socioekonomike dhe se zgjidhja e vetme qëndron në veprimet radikale pozitive.
“Me projekte të improvizuara dhe deformim indikatorësh statistikorë, qeveria nuk mund ta luftojë krizën fundamentale socioekonomike. Zgjidhja e vetme qëndron në veprimet radikale pozitive, me të cilat mund të hapen horizontet e transformimeve reale”, shtoi Muhaxhiri për Gazeta Blic.