Muhaxhiri: Gjasat minimale që Haradinaj të jetë president – do të duhej ta priste një moment më të favorshëm

Prishtinë | 20 Gus 2020 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka paralajmëruar sot gjatë ditës se nëse ai nuk do të marrë pozitën e presidentit, partia që ai drejton mund të dalë nga koalicioni qeverisës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Ky deklarim i Haradinajt i është dukur jo fort i zakontë analistit politik Artan Muhaxhirit i cili ka theksuar se kjo është hera e parë që një politikan po këmbëngul publikisht për postin e të parit të vendit.

“Në fakt ishte pak e çuditshme dhe befasuese ajo që u tha sot nga ana e Ramush Haradinajt. Zakonisht kur është në pyetje posti i presidentit, bisedat dhe takimet bëhen në prapaskenë. Së pari është me rëndësi që të sigurohet një bashkëpunim dhe përkrahje në mënyrë që të arrihen votat në Kuvend dhe pastaj ata politikanë të cilët arrijnë që ta kenë një fuqi brenda Paralamentit, aty ku bëhet zgjedhja e presidentit, dalin në skenë qëndrimet, kërkesat apo marrëveshjet e tilla. Këtu është befasia, sepse është hera e parë që kemi insistim publik për këtë post”.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka vlerësuar se ky nuk është momenti më i favorshëm që Ramush Haradinaj ta synojë postin e presidentit.

“Është kohë tejet problematike, sepse derisa nuk qartësohen aktakuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit është pak joetike të bisedohet në këtë moment. Pasi që të kemi qartësim nga Gjykata Speciale mund të fillojnë debatet, por aktualisht është akoma herët”.

“Është një ambicie që do të duhej të priste pak derisa të krijohet një kontekst më i favorshëm sa i përket votave në Parlament, marrëveshjeve, por posaçërisht vendimit të Gjykatës Speciale”.

Por, a është momenti i duhur që Ramush Haradinaj të jetë Presidenti i Kosovës?

“Kjo është një pyetje që duhet ta marrë përgjigjen e vet në Kuvendin e Kosovës, por për ta marrë këtë përgjigje paraprakisht duhet të merret përkrahja e LDK-së, PDK-së dhe partive të tjera që potencialisht do të duhej ta votonin. Patëm disa deklarata nga PDK-ja që nuk e përkrahën, ose ishin shumë indiferente ndaj kësaj kandidature. Njëlloj ishte edhe nga ana e LDK-së. Nuk shoh mobilizim apo potencial të votave dhe përkrahjes së partive politike për ta bërë Ramush Haradinajn president”.

“Nuk besoj që as Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë. Posti i presidentit është shumë më i komplikuar për dallim nga ai i kryeministrit, sepse kryeministri edhe mund të zëvendësohet osë ndërrohet përmes mocionit, ndërsa presidenti ka mandat pesë vjet. Në rast se nuk bën ndonjë shkelje kushtetutese, presidenti do ta ketë jetëgjatësinë politike pesë vjet”.

Muhaxhiri, që sheh gjasa minimale që Ramush Haradinaj të jetë president, ka thënë se në këtë periudhë – etapa e fundit të dialogut me Serbinë –  nevojitet një kandidat për president që jep garanci maksimale se do të jetë konstruktiv në dialogun me Serbinë dhe integrimet europiane.

Nëse Ramush Haradinaj nuk do të arrijë ta marrë përkrahjen e duhur për postin e të parit të vendit, cila parti do të mund ta japë kandidatin për president të vendit?

“Nëse shkojmë me legjitimet do të duhej të ishte Lëvizja Vetëvendosje, sepse është partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e kaluara. Nëse shkojmë me realizëm politik, Lëvizja Vetëvendosje e ka postin e Kryetarit/es së Kuvendit derisa LDK-ja e ka postin e kryeministrit. Me këtë logjikë do të duhej ta kishte PDK-ja presidentin”.

“Kam frikë se Ramush Haradinaj, për faktin se AAK-ja është partia e katërt, do ta ketë të pamundur t’i kalojë të gjithë këto shkallë dhe të fitojë postin e presidentit. Ramush Haradinaj ndoshta ka marrë vullnet nga PAN-i, por PAN-i ishte një kreaturë politike tejet e çuditshme, sepse dy javë para se të krijohej PDK-ja dhe AAK-ja ishin në konflikt shumë të madh dhe vetëm në natën e fundit të afatit për dorëzimin e  listave u bë koalicioni – por, u pa që nuk funksionoi”.

Të ngjashme