Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se propozimi i Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje për mandatar për krijimin e Qeverisë është një lajm shumë pozitiv.
“Lajmi i sotëm ishte më i miri në javët e fundit, sepse kjo vonesë u bë e tepërt, e pakuptueshme dhe e palogjikshme. Për fat të keq të spektrit politik dhe të qytetarëve sa më shumë që kalonte koha aq më shumë largoheshin pozicionet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së”.
“Pozicionet e këtyre dy partive u larguan aq shumë sa erdhi deri te një momentum i përplasjes së madhe publike në mes të përfaqësuesve të tyre. Nuk kishte më asnjë kuptim që të flitej për një koalicion potencial duke e pasë parasysh këtë situatë të helmuar politike, sepse filloi ashpërsimi i madh i diskursit. Presioni u bë pothuajse i padurueshëm, më shumë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe ndaj LDK-së”.
“Presioni më i madh ishte kryesisht ndaj Albin Kurtit, sepse u bë e pakuptueshme që një mandatar të mos dëshirojë që ta marrë mandatin dhe një fitues i zgjedhjeve të mos mund ta bëjë këtë”.
Muhaxhiri e sheh këtë hap si një fillim drejt përfundimit të gjithë kësaj situate politike që është krijuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Sot është fillimi i fundit të sagës – me aktin e sotëm të Albin Kurtit me shprehjen publike të vullnetit për ta marrë mandatin për krijimin e Qeverisë. Prej sot, Albin Kurti ka 15 ditë”.
Por, si do të përfundojë ‘saga’?
“Kryesorja është që saga të përfundojë. Me rëndësi është që të ketë një përfundim në çdo skenar të mundshëm”.
“Nëse Albin Kurti mund ta arrijë koalicionin për 15 ditë, ai duhet ta bëjë. Nëse nuk arrin që ta bëjë këtë, i takon mandatarit të dytë – që logjikisht do të duhej të ishte Isa Mustafa – që ka në dispozicion 10 ditë. Nëse nuk arrin as mandatari i dytë ta krijojë qeverinë, atëherë mund të shkojmë edhe në zgjedhje të reja”.
“Kryesorja është që tani ka filluar numërimi. Deri tani ka qenë mjegullnajë dhe amulli, derisa nga sot e kemi 4 shkurtin si një datë që vlen për Albin Kurtin, por edhe për Isa Mustafën. Prej sot fillon të kristalizohet situata”.