Muhaxhiri: VV-ja dhe LDK-ja po tregohen të pandershme ndaj vullnetit qytetar të 6 tetorit për ndryshim

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

As Lëvizja VETËVENDOSJE!, as LDK nuk po dëshirojnë ta kuptojnë saktë mesazhin e 6 tetorit. Kanë arritur që gjithë atë entuziazëm, përkrahje dhe dashuri që ua kanë dhënë qytetarët ta burokratizojnë dhe ta shndërrojnë në numerifikim të thjeshtëzuar të posteve. Nëse gjithë atë energji pozitive e reduktuan në betejë për postin e kryeparlamentarit dhe të presidentit, atëherë as Kurti e as Mustafa nuk po duan ta kuptojnë qartë mesazhin e qytetarëve”.

Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka quajtur të pandershme gjithë situatën që kanë krijuar dy partitë, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe LDK, me sagën e tyre të negociatave për arritjen e një koalicioni qeverisës.

Ai gjithashtu ka thënë se kjo gjendje është shumë e dëmshme për Kosovën, pasi gjendet në pozitë të vështirë në të gjitha sferat, njofton Klan Kosova.

“Kjo që po ndodh është krejtësisht e pandershme në raport me qytetarët – edhe nga Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe nga LDK. Është krejtësisht e pakuptueshme që kemi ardhur deri në këtë situatë. Për fat të keq, duket qartë që as Lëvizja VETËVENDOSJE! e as LDK aktualisht nuk e kanë vetëdijen politike në nivelin korrespondues me përgjegjësinë në raport me vullnetin qytetar të 6 tetorit”.

“Për gjithë atë përkrahje dhe dashamirësi të njerëzve, si dhe për gjithë këtë pritshmëri të tyre që këto dy parti të vijnë në pushtet dhe ta bëjnë një koalicion. Mos të harrojmë se VV dhe LDK kanë premtuar edhe para fushatës edhe pas saj se do të vijnë në pushtet dhe do të jenë më të ndryshëm sesa qeveritë e kaluara. Kësisoj kjo ka ka rezultuar në rritjen e bazuar të pritshmërive të qytetarëve, sepse kanë pasë premtime të shpeshta publike”.

“Kjo që po ndodh është krejtësisht e pandershme, sepse Kosova është në situatë jashtëzakonisht të rëndë. Jemi të izoluar, kemi ekonomi të dobësuar, me korrupsion kapilar në të gjitha sferat e rëndësishme institucionale”.

“Nuk ka ftesë më të madhe për secilën parti që nuk ka qenë në pushtet që të vjen në këtë moment dhe të mundohet ta ndërpresë këtë cikël negativ e ta përmirësojë gjendjen”.

Por, kush po e pengon arritjen e marrëveshjes?

“Problemi kryesor është te egot politike të Kurtit dhe Mustafës, të cilat rrjedhimisht ndikojnë në mungesën e vullnetit për të arritur marrëveshje. Kur s’ka vullnet edhe një punë më e lehtë shtyhet pambarimisht, siç po ndodh tash. Duket që as LDK-së nuk i konvenon të hyjë në koalicion me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e as Lëvizjes VETËVENDOSJE! me LDK-në. Kjo është një situatë e re dhe është për 180 shkallë e ndryshme nga ajo që e kanë premtuar. Ata asnjëherë s’kanë thënë: ‘Do të bllokohemi nëse nuk do të plotësohen kërkesat tona dhe nuk do të kërkojmë alternativa për të dalë nga bllokada”.

“Dy palët i kanë fajet. LDK-ja që po kërkon më tepër sesa që realisht i takon, por edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! ka faj sepse këto kompromise ia vlejnë që Albin Kurti të bëhet kryeministër. Asnjë politikan në Kosovë nuk ka ardhur në postin e kryeministrit pa bërë kompromise. Është absurde që Albin Kurti – në këtë periudhë të vështirë – ta sfidojë marrjen e postit të kryeministrit për shkak të çështjes së presidentit”.

Muhaxhiri në Info Magazine ka kritikuar edhe refuzimin e dy partive që pas takimeve të mos flasin para mediave, duke thënë se qytetarët e meritojnë të dinë atë që po ndodhë.

“Për një kohë të gjatë ka pasë indikacione për arritjen e një marrëveshjeje. Tash vijnë në një situatë kur ka heshtje para mediave dhe akuza të përditshme reciproke në Facebook”.

“Kjo është e pandershme dhe zhgënjim për qytetarët të cilët kanë pritur që pas një qeverisjeje të kaluar që është shquar për korrupsion të përditshëm të vijë një qeveri tjetër me mentalitet dhe qasje të ndryshme. Nëse kanë vendosur që të krahasohen me VLAN-in atëherë kjo është e pandershme ndaj pritshmërive të qytetarëve të Kosovës. As Lëvizja VETËVENDOSJE!, as LDK nuk po dëshirojnë ta kuptojnë saktë mesazhin e 6 tetorit. Kanë arritur që gjithë atë entuziazëm, përkrahje dhe dashuri që ua kanë dhënë qytetarët ta burokratizojnë dhe ta shndërrojnë në numerifikim të thjeshtëzuar të posteve. Nëse gjithë atë energji pozitive e reduktuan në betejë për postin e kryeparlamentarit dhe të presidentit, atëherë as Kurti e as Mustafa nuk po duan ta kuptojnë qartë mesazhin e qytetarëve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme