Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Mujka, ka thënë se zbukurimi i sheshit të Mitrovicës është bërë për të mirën e qytetarëve për të ndryshuar situatën e zymtë e cila po mbretëron kohëve të fundit në këtë komunë.
Mujka tha se gjatë javës në vazhdim dhe deri në natën e vitit të ri do të ketë aktivitete kulturore, muzikë dhe performanca nga artistët lokal.
Ndër të tjerash, Mujka foli edhe për koalicionin me AKR-në i cili është zyrtarizuar sot.
“Duke ditur se situata politike në Mitrovicës është mjaft e ndjeshme, ne i kemi ofruar ndihmë Agim Bahtirit i cili aktualisht në këtë situatë ka mbetur pak i vetmuar”.
“Në njëfarë mënyrë jemi më të fuqishëm së bashku”.
“Ju e dini se Mitrovica ka dalë shumë e lënduar me një ndarje fizike të qytetit, me shumë të zhvendosur dhe me shumë probleme të tjera”.
E në fund, Mujka foli edhe për planet për vitin 2017.
“Detyra jonë e parë është që të kemi një stabilitet politik. Pastaj me siguri se theksi do të jetë edhe në zhvillimin ekonomik”.
“Prioritet do të jetë edhe arsimi dhe shëndetësia, pasi që arsimi është në një krizë në të gjithë Kosovën, këtë e ka treguar edhe raporti i PISA-së”.