Mujota tregon se kur është ditur data e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 17 Shk 2023 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Fehmi Mujota nga PDK-ja tha se 15-vjetori i pavarësisë rikthen në kujtesë historinë e dhimbshme dhe njëkohësisht krenare të Kosovës.

Mujota si njëri nga deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë tha se atë ditë kanë pasur ndjenja të përziera.

“Është një ditë e cila na rikthen të gjithë historinë tonë të dhimbshme, por njëkohësisht edhe krenare për të gjitha të arriturat në këtë periudhë kohore. Është një moment i duhur për të kujtuar të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Prandaj, unë si njëri nga deputetët nënshkrues të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, atë ditë kemi pasur ndjenja të përziera, në kuptimin e asaj që brenda 24 orësh jemi munduar që të mbledhim gjithë historinë e Kosovës. Pra, të gjitha angazhimet tona shumë vjeçare. Njerëzit që janë të gatshëm të vdesin për vendin e tyre, njerëz që luftojnë për lirinë e tyre, e përjetojnë lirinë shumë më herët. Në këtë kuptim, të gjithë ne të tjerët kemi pasur një fat të madh që kemi arritur në një moment kulmor, në moment kur bëhet historia për një shtet të jemi nënshkrues të deklaratës së pavarësisë”, deklaroi Mujota në Tëvë1.

Ai tha se krerët shtetërorë kanë qenë tërë kohën në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Mujota tha se një javë më herët ka qenë e saktë dita dhe ora e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Dy javë para se të vije dita e shpalljes së pavarësisë, ka qenë një punë intensive. Për një kohë është biseduar që nuk dihej saktë dita dhe ora e shpalljes së pavarësisë. Një javë më herët ka qenë e saktë dita dhe ora. Në datën 15 shkurt, ka qenë edhe një mbledhje e Këshillit të Sigurimit, e ftuar nga Serbia, e mbështetur nga Rusia, në mënyrë që mos të lejohet njohja e Pavarësisë së Kosovës. Por, Rusia në momentin e fundit është tërhequr, të paktën nuk ka dalë në kundërshtim të kësaj pune”, theksoi tutje Mujota.

Sot në Prekaz kanë bërë homazhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë.

Të ngjashme