Mungesa e infermierëve në QKUK nuk plotësohet as me konkurs

Prishtinë | 13 Pri 2019 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në vazhdimësi ka pasur mungesë të stafit të mesëm, përkatësisht të infermierëve.

Ky institucion, si qendër terciare referente për tërë Kosovën, ka gjithsej 1900 infermierë të profileve të ndryshme, por që si numër, del të jetë i pamjaftueshëm. Si pasojë, edhe cilësia e shumë shërbimeve shëndetësore për pacientët nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar ndër vite.

Përpos numrit të vogël të infermierëve në këtë institucion, sistemi shëndetësor në Kosovë është ballafaquar edhe me ikjen e stafit për në vendet e Bashkimit Evropian, për kushte pune dhe paga më të mira sesa në Kosovë. Aktualisht, infermierët në Kosovë për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro në muaj.

Mirëpo, me gjithë kushtet më të mira jashtë Kosovës, një konkurs i shpallur së fundit nga Qendra Klinike për pranimin e 100 infermierëve të rinj, ka treguar se ka shumë të interesuar të punojnë aty, ngaqë numri i atyre që kanë konkurruar, ka qenë me mijëra sosh.

Njëra prej tyre është Arta Cufaj, e cila thotë se ka disa vjet që ka mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë, por nuk po mund të gjejë një vend pune si infermiere. Megjithatë, ajo është pesimiste se edhe këtë herë do të mund të pranohet për shkak të konkurrencës së madhe.

“Unë po konkurroj si infermiere në Klinikën Pediatrike. Ndoshta pranohem dhe po shpresoj, por konkurrenca qenka shumë e madhe dhe shpresat e mia nuk janë aq të mëdha”, shprehet Cufaj.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bën të ditur se ky numër është përcaktuar në bazë të mundësive buxhetore që ka pasur ky institucion, por, sipas tij, pritet të ketë edhe konkurse të tjera, meqë edhe 100 infermierë të rinj që do të pranohen, nuk paraqet numër të mjaftueshëm.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka hapur konkurs për 100 infermierë bazuar në kërkesat e klinikave. Ky numër nuk është i mjaftueshëm, por do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore pasi është rritur gama e shërbimeve shëndetësore dhe është ndier nevoja që të rritet numri i infermierëve. QKUK-ja ka rreth 1900 infermierë, përfshirë gjitha profilet. Nevojat janë shumë më të mëdha, por mundësitë buxhetore kanë lejuar që tash konkursi të shpallet me 100 infermierë”, thotë Fazliu.

Kurse, këshilltari për media i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, thotë se ky nuk është konkursi i fundit për këtë vit, pasi që, siç thotë ai, gama e shërbimeve shëndetësore është rritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Është hapur konkurs për stafin e mesëm, pas mbylljes së konkursit për mjekë specialistë. Do të punësohen 100 persona të stafit të mesëm, e që përfshin infermierë të përgjithshëm, infermierë me shkollim të mesëm, teknikë të rëntgenit, biokimisë, fizioterapeut, pediatri, mami dhe profile të tjera mjekësore. Ky numër nuk është konkursi i fundit, pasi me rishikim të buxhetit, priten edhe konkurse të tjera. Kjo pasi ndodhin edhe pensionime të stafit shëndetësor dhe të punësohen të rinj në mënyrë që të plotësohen vendet e punës’’, sqaron Matoshi.

Sipas zyrtarëve të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, ka indikacione që mijëra infermierë nga Kosova, për pesë vjetët e ardhshme mund ta lëshojnë vendin, pasi që tashmë kanë lidhur kontrata me shtetin gjerman për të punuar atje në këtë profesion

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme