Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga Policia e Kosovës, ka shkaktuar probleme në zbatimin e një procedure të rëndësishme gjyqësore.
Televizioni Dukagjini ka mësuar nga burime të afërta me këto zhvillime se mungesa e zyrtarëve policor në stacionin e veriut, po e vështirëson zbatimin e masës së paraqitjes në polici të të pandehurve.
Policia e Kosovës e pyetur nga Dukagjini, nuk ka dashur ta komentojë.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe nuk i komenton vendimet e organeve të drejtësisë. Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore në nivel vendi në të gjitha stacionet policore, përfshirë edhe stacionet policore në veri të vendit”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Por, ky informacion është konfirmuar në së paku një rast, kur të akuzuarit janë ballafaquar me problematikën e paraqitjes së detyrueshme në Polici.
Avokati Musa Damati, tregon se klientja e tij, Silvana Arsoviq, e cila është një prej të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka pasur telashe ta kryejë këtë obligim.
“Rasti Ivanoviq mes tjerash është ballafaquar me probleme sa i përket masës së paraqitjes në stacionin policor. Në raport me klienten time, ka rastisur që në ditën kur tani ish-zyrtarët policor kanë deklaruar dorëheqjen e tyre, ajo në atë ditë ka pasur konfirmimin e paraqitjes në stacion policor. Realisht, ka munguar prezenca e zyrtarëve policor për të konfirmuar prezencën e saj”, ka thënë Damati.
Të gjithë të akuzuarve në këtë rast, Gjykata në fillim të muajit ua hoqi masën e paraqitjes në Polici.
Megjithatë, përkundër problematikave të pretenduara, avokati i të akuzuarit Marko Roshiq, Mahmut Halimi, thekson se Gjykata vendosi drejtë.
“Masat e paraburgimit, arrestit shtëpiak, paraqitjes në polici e të tjera, kanë një qëllim të caktuar. Kanë zhvillimin e papenguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë. Do të thotë nuk është dënim dhe duhet me ju shmangë që mos me prediku, sepse një paraburgim po shndërrohet në dënim”, ka thënë Halimi.
Policia e Kosovës ka njoftuar para pak javësh se 140 pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë, kanë aplikuar në konkursin me të cilin synohen të mbushen pozitat boshe në stacionin e Policisë në veri, derisa rreth 500 janë dorëhequr.