Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ ka prezantuar gjetjet e raportit me temë “Problemet që cenojnë mirëqenien e banorëve në fshatrat dhe qytezat e Kosovës”.
Qëllimi i këtij raporti është, nxjerrja në pah e problemeve më prioritare me të cilat ballafaqohen banorët e komunave më të vogla të Kosovës.
Këto komuna për arsye të ndryshme janë lënë anash, qoftë nga qeveria lokale, qendrore por edhe organizatat e tjera të shoqërisë civile.
Të pranishëm në këtë konferencë për medie ishin dhe partnerë lokal prej komunave të Kaçanikut, Lipjanit, Vushtrrisë.
Raporti pasqyron gjetjet nga takimet me banorë në dhjetë komuna të Kosovës: Fushë Kosovë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Lipjan, Malishevë, Podujevë, Shtime, Viti dhe Vushtrri.
Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e FIQ-it, në prezantimin e një përmbledhjeje të raportit theksoj, – se një ndër gjetjet kryesore, ishte nevoja, që këta qytetarë kishin për takime të tilla, në të cilat ata kanë shprehur brengat dhe pakënaqësitë e tyre në raport me qeverisjen lokale dhe atë qendrore.
Ndërsa, Merita Mustafa, zyrtare në FIQ prezantoj gjetjet e hollësishme të raportit, të cilat në të shumtën e rasteve lidhen me mungesë transparence nga ana e qeverisjes lokale për investime kapitale të cilat nuk sjellin punësim lokal, përmirësim të ambientit, apo infrastrukturës së komunës, përkundrazi kanë shkaktuar degradim të mëtejshëm të ambjentit si dhe krijim të deponive ilegale.
Ndërkaq, për secilën komunë qytetarët kanë theksuar si jetike, mungesën e vendeve të punës dhe projekteve zhvillimore, gjë e cila po inkurajon familjet e sidomos të rinjtë, që ta lëshojnë vendin duke lëvizur qoftë në kryeqytet apo edhe deri në shtetet evropiane nëpërmjet emigracionit ilegal.
Mungesa e aktiviteteve kulturore dhe sportive për të rinjtë, qasja e varfër sociale ndaj qytetarëve në nevojë, cilësia e dobët e mësimdhënies, përdorimi i substancave narkotike nga nxënësit brenda dhe jashtë ambientit të shkollës, ndotja e ambientit, i cili ka pësuar një degradim total nga mos menaxhimi i duhur i mbeturinave, ndotja e lumenjëve, prerja e pakontrolluar e pyjeve, gurthyesit e pakontrolluar si dhe mungesa e investimeve në gjelbërim dhe hapësira publike, janë theksuar si disa prej problemeve kryesore nga banorët.
Situatë zhgënjyese, qe identifikuam gjatë takimeve ishte edhe tendenca tashmë e njohur e ngulfatjes të sektorit të shoqerisë civile nëpërmjet krijimit te organizatave “satelit” të politikës, të cilat po e marrin rolin e pamerituar te një shoqërie të mirëfilltë civile, e që e njejta vlenë edhe për mediat e financuara nga pushteti.
Hapi i parë pas këtyre gjetjeve dhe këtij raporti do të jetë formimi i një koalicioni me organizatat lokale te shoqërisë civile (aty ku ka) me qytetarë, grupe informale, këshilla fshatrash, nxënës të shkollave me të cilët FIQ-i bashkërisht do të përpilojë një listë me kërkesa për zgjidhje prej 10 komunave. Si rezultat në secilën prej komunave, koalicioni qytetarë do të monitorojë realizimin e kërkesave të qytetarëve, nivelin e llogaridhënies dhe transparencës prej pushtetit lokal. Kësisoj, FIQ synon të ndihmojë në përhapjen e kulturës së debateve publike përgjatë gjithë vitit dhe jo veç në prag të zgjedhjeve.