Në gjykimin e 10 të akuzuarve për krim të organizuar munguan katër prej tyre. Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Lulzim Gashi e Faton Topanica nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së gjykatës për t’u paraqitur në seancë gjyqësore në rastin për të cilin janë të akuzuar, duke u bërë kështu shkaktarë që seanca e cila ishte e planifikuar të mbahej për këtë rast të shtyhej për një datë tjetër.
Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitija, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari nga prokuroria po akuzohen se që nga shtatori i vitit 2006 e deri në tetor të 2007-ës, kanë kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili prej tyre rolin e ndarë në këtë veprimtari kriminale.
Në mungesë të të akuzuarit Shaip Ferizi, babai i tij Besnik Ferizi i cili po ashtu është i akuzuar për këtë rast, tha se Shaipi nuk mund të paraqitet pranë gjykatës për arsye se gjendet në vuajtje të dënimit në Gjermani pasi që atje është i dënuar për një vepër penale, transmeton Kallxo.com.
E mungesën e të akuzuarit Faton Topanica e arsyetoi avokati i tij mbrojtës Aziz Rexha, i cili para trupit gjykues prezantoi dëshmi me të cilat tregoi se i mbrojturi i tij vuan nga një sëmundje e rëndë dhe rishtazi i është nënshtruar një operacioni që e pengoi të vijë në seancë.
Të akuzuarit Besnik Ferizi e Ajdar Jashari deklaruan para trupit gjykues se nuk kanë avokat dhe të njëjtit kërkuan që në seancën e radhës gjykata t’u caktojë nga një avokat sipas detyrës zyrtare.
Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri tha se do të bëjë kërkesë që në seancën e radhës të gjithë të akuzuarit të kenë nga një avokat mbrojtës.
Në mungesë të kushteve për vazhdimin e seancës, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri ndërpreu seancën duke e shtyrë kështu për datën 13 Korrik.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e lartpërmendur me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it në emër të KFOR-it kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me ç’rast cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kanë dorëzuar në KFOR, por ua kanë shitur kompanive të tjera(cigare pa banderolë), duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në një shkallë më të lartë të përqindjes së doganës, akcizës dhe TVSH-së, në shumë prej 2.411.927.71 euro.
Me anë të këtyre veprime të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari kanë kryer veprën penale krim i organizuar lidhur me veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare dhe veprën penale shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve, ndërsa të akuzuarit tjerë Mustafë Vitija, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton e Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari ngarkohen se kanë kryer veprat penale krim i organizuar dhe shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve.