Mërgim Mavraj dhe Armando Sadiku nuk janë përfshirë në listën e Kombëtares për dy ndeshjet me Turqinë dhe Moldavinë jo për arsye sportive.
Trajneri i kuqezinjve, Edoardo Reja ka shpjeguar në konferencën për shtyp se mbrojtësi i SpVgg Greuther Fürth ka një problem fizik, ndërsa sulmuesi i Malagas, në çastet e fundit ka kërkuar të jetë i lirë për një problem të rëndësishëm familjar.
“Kam folur me Mavrajn i cili këtë javë duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në krah. Kjo është arsyeja pse nuk është përfshirë në listë, por do ta ftoj sërish. Sadiku në çastet e fundit më ka kërkuar të mos grumbullohet për një problem të rëndësishëm familjar, kjo është e gjitha. Të dy do të kthehen në Kombëtare për raundin tjetër të ndeshjeve. Kam folur edhe më Xhakën dhe jemi sqaruar. Kam preferuar Selahin, pasi dua ta shoh nga afër për perspektivën. Nuk dua të grumbulloj 27 apo 28 futbollistë dhe më pas t’i dërgoj disa në tribunë.”
4 portierë: Edhe Turqia ka grumbulluar 4 portierë. Ne kemi portierë shumë të mirë, që po e tregojnë veten. Më mbetet detyra e vështirë e zgjedhjes se kush do të jetë titullari. Nuk kemi një çështje “Berisha” në Kombëtare, mjafton që ata të vijnë në grumbullim të japim më të mirën dhe të mos krijojnë probleme. Selmani po merr minuta në kampionatin turk, më duket e arsyeshme që ne ta kemi në konsideratë, sidomos këtë ndeshje ndaj Turqisë
Forma e lojtarëve: Është shumë e rëndësishme që lojtarët të luajnë dhe të kenë minuta. Duhet marrë në konsideratë qëndrimi i tyre. Dua të veçoj Dermakun, nuk po luan me Parmën, por kur grumbullohet me Kombëtaren, jep diçka më shumë. Kumbulla është vetëm 19-vjeç, shënoi gol dje dhe është një lojtar i rëndësishëm. Hysaj nuk po gjen më hapësira te Napoli. Nuk preferoi të shkonte në tribunë me Napolin, por preferoi të stërvitej. Këto sjellje më bën të zgjedh lojtarët që janë më të dobishëm për ne.
Synimi ndaj Turqisë: Do të shkojmë në Turqi me besim. Dihen vlerat e lojtarëve të Turqisë, ata kanë shumë cilësi dhe marrin pjesë në Kupat e Europës. Ne po krijojmë një grup të rëndësishëm dhe mund të marrim rezultate kudo. Shkojmë me bindjen që mund të bëjmë lojën tonë. Janë të fortë në kundërsulm. Nga ana taktike do bëjmë një ndeshje shumë të mirë, për të marrë një rezultat pozitiv.
Mundësia e fundit: E dimë shumë mirë që është mundësia e fundit për të shkuar në Europë. Ambienti është gati për të marrë një fitore ndaj Turqisë. Edhe barazimi nuk na intereson. I vetmi objektiv është të bëjmë një ndeshje sa më pozitive për të marrë një rezultat pozitiv, që është fitorja. Turqia është me një barazim shkon në Europian.
Rinovimi i skuadrës: Kemi thënë që po rinovojmë këtë grup. Kam mbajtur në konsideratë punën e Panuccit. Ndaj Islandës mesfusha ndryshoi 100%. Zgjodha lojtarët që ofrojnë më shumë cilësi teknike. Dua të vlerësoj në bazë të karakteristikave individuale se kush na shërben më shumë. Lojtarët e rinj janë vlerë e shtuar. Do të mundohemi të gjejmë kombinimin e duhur në ndeshje. Do fusim në lojë ata lojtarë që na shërbejnë në varësi të situatës dhe të ndeshjeve.
Duhet të ecim me të njëjtin hap. Si çështja e kualifikimit dhe pikëve dhe çështja e rinovimit të skuadrës. Është normale që duhet të mendojmë të ardhshme. Në Itali ka shumë të rinj shqiptarë që luajnë. Deri diku është normale që lojtarët e lindur në ato vende synojnë të luajnë për kombëtaret e vendeve ku kanë lindur.
Grumbullimi i lojtarëve nga Kosova normalisht që na prish punë. Do provojmë me të gjithë të rinjtë që na duken premtues. Duhet të vlerësojmë sa më mirë, për të ndërtuar një skuadër sa më cilësore. Është normale që plani shkon për tej nëntorit. Ne do analizojmë çdo kundërshtar.
E ardhmja e Rejas: Normale që do shikojmë për të ardhmen. Kush punon gabon, do mundohem të afroj lojtarët që mendoj se i shërbejnë skuadrës. Kush më njeh pak më mirë e di që nga Napoli, Lazio dhe Cagliari jam larguar unë. Nuk jam i lidhur me kontratat dhe paratë. Më pëlqejnë projektet e mira, ku mund të bëjë punën sa më mirë.