Ekonomia Online
FUNDIT

Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj drejtorit të Arsimit në Deçan

Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj drejtorit të Arsimit në Deçan

Ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e dëshmitarit Milazim Maraj, i cili ishte paraparë të dëshmonte të […]

Ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e dëshmitarit Milazim Maraj, i cili ishte paraparë të dëshmonte të mërkurën.

Kryetarja e trupit gjykues, Lumturie Muhaxheri, ka deklaruar se dëshmitari Maraj, më 23 maj 2018, ka njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes në seancë gjyqësore, për shkak të angazhimeve të punëtorisë në MASHT, në Prishtinë, por duke mos prezantuar asnjë provë për mos prezencën e tij.

Për shkak të mungesës të dëshmitarit, kjo seancë është shtyrë për 4 Qershor, me fillim nga ora 10:00.

Në seancën e mbajtur më 31 janar 2018, i akuzuari Qazim Maloku kishte dhënë mbrojtjen e tij, ku kishte deklaruar se koordinatorin e cilësisë, Xhevat Boxhdaraj, e kishte futur në listën e pagave për mësimdhënës, pasi sipas tij, Ministria e Administratës Publike (MAP), nuk lejonte listë të veçantë për paga dhe se për këtë punë ka marrë vetëm një pagë, shkruan betimiperdrejtesi.com.

Dëshmitari Xhevat Bozhdaraj, në deklaratën e tij, kishte thënë se është e vërtetë se ka nënshkruar kontratë të punës si mësimdhënës në lëndët histori-gjeografi, por se ka punuar në Qendrën për Ngritje dhe Aftësim Profesional, në Deçan, në pozitën e koordinatorit.

Ndërsa, eksperti financiar Hysni Selmanaj, kishte deklaruar se nga ekspertiza që ka bërë, nuk ka dëmtim të buxhetit të Komunës së Deçanit, ngase komuna nuk i jep pagat për mësimdhënës, por MASHT-i.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Qazim Maloku, më 3 nëntor 2011, si person zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që tjetri të përfitojë.

Këtë, sipas aktakuzës, e ka bërë duke lëshuar rekomandim në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me të cilin personin e quajtur Xhevat Bozhdaraj e cakton në punën Koordinator Komunal për Qendrën Zhvillimore Profesionale në Shkollën e Mesme të Ulët “Lidhja e Prizrenit”, pa përgatitje adekuate shkollore.

Sipas aktakuzës, më pas me të njëjtin lidhë kontratë pune për lëndën histori-gjeografi, nga e cila i njëjti merr pagat mujore pa e kryer asnjëherë këtë punë, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Deçanit në shumën prej 12.389.00 euro.

Të ngjashme