Mungon prokurorja dhe gjykatësi, dështon gjykimi për vrasjen e djalit të axhës në fshatin Batllavë

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë – Në mungesë të prokurores Jovorka Prilneviq dhe anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Baki Brahimi po akuzohet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

Brahimi po akuzohet se në tetor të vitit 2021, pas mosmarrëveshjeve paraprake me djalin e axhës së tij lidhur me shfrytëzimin e një prone, në mënyrë mizore ai e kishte privuar të njëjtin nga jeta në fshatin Batllavë të Podujevës, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Lidhur me mungesën e prokurores Prilneviq, kryetarja e trupi gjykues Shpresa Hasaj- Hyseni ka thënë se e njëjta ka qenë e njoftuar për datën e mbajtjes së seancës, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Për të njëjtën më pas gjykatësja Hasaj- Hyseni ka thënë se e ka njoftuar përmes të telefonit se është në intervistë në Gjykatën e Apelit.

Ndërsa, lidhur me mungesën e gjykatësit Ajvazi, gjykatësja Hasaj- Hyseni ka thënë se i njëjti përmes telefonit e kishte njoftuar se ishte duke shkuar në një rast vdekje.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotshme u shty, ndërsa e radhës u caktua më 6 mars 2023.

Në seancë të pranishëm ishin, i akuzuari Brahimi së bashku me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokatin Azem Ejupi, pala e dëmtuar më përfaqësuesin Florim Shefqeti dhe eksperti nga Agjencia e Kosovës për Forenzik, Arsim Gashi.

Gjatë seancës së mbajtur lidhur me këtë rast, më 27 shtator 2022, i akuzuari Brahimi e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën po akuzohet nga Prokuroria, ndërsa gjykata kishte vendosur ta dërgojë për ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike dhe më pas të vendos lidhur më pranimin e fajësisë

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, Brahimin pas pranimit të fajësisë, e kishte dënuar për veprat penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit, për ‘Vrasje e rëndë’ dënim me burgim në kohëzgjatje prej 16 vite dhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve’ dënim në kohëzgjatje prej 1 vit, duke i shqiptuar dënimin unik prej 17 vite e 10 muaj burgim.

Mirëpo, më 24 qershorit 2022, Gjykata e Apelit këtë aktgjykim e ka anuluar dhe çështja është kthyer në rivendosje sipas ankesës së mbrojtësit Azem Ejupi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 13 prill 2022, Baki Brahimi akuzohet se më 17 tetor 2021, rreth orës 12:50, në fshatin Gërdoc të Komunës së Podujevës, pas një mosmarrëveshje verbale lidhur me shfrytëzimin e livadhit, përkatësisht kullotës së bagëtive me të dëmtuarin, tani të ndjerin G.B., i pandehuri nga oborri i shtëpisë së tij familjare e cila kufizohet me oborrin e të ndjerit, thuhet se me armë të zjarrit-pistoletë ka shtënë një fishek në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit tani të ndjerë, i cili ka përfunduar në derën e hyrjes së shtëpisë.

Me këtë, sipas aktit akuzues i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe dëm pasuror, andaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356, paragrafi 1 i KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se më 18 tetor 2021, rreth orës 8:15 në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës, në mënyrë mizore dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale ka privuar nga jeta djalin e xhaxhait të tij, tani të ndjerin G.B., për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake në mes vete, në atë mënyrë që sipas aktit akuzues derisa i dëmtuari me biçikletën e tij kishte shkuar në punë nga fshati Gërdoc në fshatin Batllavë, i pandehuri me veturën e tij të markës ‘Kombi WË’, e kishte goditur në anën e djathtë të veturës dhe e kishte gjuajtur në tokë.

Në vazhdim thuhet se pas diku 20 m, i akuzuari e kishte ndaluar veturën dhe është kthyer deri tek i dëmtuari i cili pas goditjes ka përfunduar në kanal të thellë rreth 5 m, i është ofruar dhe nga arma e zjarrit të dëmtuarin i cili ishte i goditur e kishte gjuajtur në kokë me 2 fishekë, me ç’rast i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, Brahimi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 dhe 1.6 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Brahimi akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 18 tetor 2021 në posedim të tij të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armë, ka mbajtur një armë zjarri – pistoletë të markës ‘Bareta cal. 7.65’, me të cilën i akuzuari ka kryer veprat penale të lartcekura, ndërsa të cilin me një karikator të zbrazët i akuzuari e kishte dorëzuar në polici pas kryerjes së veprës penale kur edhe është dorëzuar vetë.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së

Të ngjashme