Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka raportuar në Komisionin për Buxhet për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financim të Politikave Zhvillimore me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim., raporton Ekonomia Online.
Murati tha se për energjinë e ripërtritshme, nga sistemi i tarifave, është paraparë një mbështetje prej 50.6 milionë eurosh dhe se kjo mbështetje vjen si rezultat i besueshmërisë në institucionet e Kosovës.
Sipas tij, 5 deri në 6 milionë euro parashihen për mbulimin e infrastrukturës.
“Në kuadër të kësaj shtylle për përmirësimin ambiental apo forcimit të qëndrueshmërisë është paraparë edhe kalimi i mbështetjes së energjisë së ripërtritshme nga sistemi i tarifave nxitëse përmes ankandit. Mbështetja që është paraparë të jepet është 50.6 milionë euro dhe kjo mbështetje vjen si rezultat i besueshmërisë në institucione e Kosovës”.
“Afati i kthimit për këtë shumë është 30 vjet është data kur përfundon marrëveshja në vitin 2050. Në kuadër të kësaj mbështetje kemi pasur bashkëpunim me OPEK i cili është bashkëngjitur kësaj marrëveshje në vlerë 40 milion dollarë. Afati i maturitet është 30 vjet. Janë kushte mëse të volitshme dhe paraqesin shans të mirë që mbështetja buxhetore të kalojë prej letrave në vlerë dhe të mos ndikojë në shterjen e likuiditetit”.
“Ftoj ta mbështesni marrëveshjen. Qëllimi është të bëhet transferim nga financimi në tregun e brendshëm. Sektori financiar ka qëllim ta ruajë likuiditetin. Çdo shumë që merret ta financojmë me kredi. Plani është të zëvendësohet barra nga tregu vendor në tregun ndërkombëtar. Norma e interesit është 1.25%. interesi i qeverisë është të shtyjë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare përpara. 5 milion deri në 6 milion euro parashihet në mbulimin e infrastrukturës” tha Murati.
Ndërsa, Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i shtroi pyetjen ministrit Murati se a ka nevojë për 50.6 milion euro mbështetje direkte buxhetore.
“Lista e reformave që janë propozuar në këtë marrëveshje është e mirëpritur. Unë desha ta ngris çështjen buxhetore, si jemi me të hyrat buxhetore. A kemi probleme në këtë drejtim, a kemi nevojë për 50.6 milion euro mbështetje direkte buxhetore. Sa ka qenë plani për të tërheqë financim.”
Në këtë komision, me shumicë votash, u miratua marrëveshja për Ratifikim për Financim të Politikave Zhvillimore me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, raporton EO.