Murati e fajëson Serbinë për radhët në kufi, njoftohet edhe Brukseli

Prishtinë | 25 Dhj 2016 | 17:13 | Nga

Arsyeja e krijimit të kolonave të gjata në vendkalimet kufitare në mes Serbisë dhe Kosovës, është faktori njeri, thotë ministri i Diasporës, Valon Murati.

Megjithëse pritjet në këto vendkalime të dielën janë shkurtuar, Murati thotë për Radion Evropa e Lirë, se ministria që drejton ai, po bën përpjekje të mjaftueshme që të lehtësojë qarkullimin e shtetasve të Kosovës, të cilët nga vende të ndryshme të Evropës po vijnë në vend për festat e fundvitit.

Kolona dhe pritjet e gjata janë krijuar në hyrje nga Serbia në Kosovë.

“Një faktor është përqendrimi shumë i madh i qytetarëve në pikën kufitare në Merdar. Ne kemi bërë thirrje që të shfrytëzohen pika tjera kufitare për të hyrë në Kosovë. Mirëpo, një problem tjetër ka qenë edhe ky njerëzor. Policia serbe ka punuar me kapacitete normale të reduktuara në një kohë emergjence”, thotë Murati.

Krijimi i këtyre kolonave në territorin e Serbisë ndodh edhe për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shton Murati.

“Në këto situata dhe këto momente kur ne kemi pasur tensione kohëve të fundit, ka pasur një mungesë të komunikimit, pak më normal. Sidoqoftë ne jemi detyruar, unë së paku si ministër, që t’i shfrytëzoj të gjithë mekanizmat dhe të bëj presion që bashkatdhetarët tanë kur vijnë, mos le t’iu ndodhë kjo që po iu ndodh”, thekson ai.

Për fluksin dhe pritjet e gjata që po ndodhin në vendkalimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, ministri Murati thotë se e ka njoftuar edhe Brukselin zyrtar.

Sidoqoftë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet se të dielën, pritjet më të gjata, deri në dy orë po ndodhin në vendkalimin te Dheu i Bardhë, kurse në Merdar deri në një orë.

Pritje deri në 8 orë në kufirin Kroaci-Serbi

Përveç vendkalimit kufitar Kosovë – Serbi, kolona të gjatë të veturave, sipas ministrit Murati ka edhe në kufirin e Kroacisë dhe Hungarisë. Ai, ndërkaq, potencon se janë në kontakt me zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës, në këto shtete që të bëhet një zgjidhje për këtë çështje.

“Përderisa pritjet në hyrjet për në Kosovë janë zvogëluar ndjeshëm që nga mbrëmë, bashkatdhetarët tanë po presin me orë e orë të tëra në hyrje të Kroacisë për në Serbi. Kjo po ndodh, përveç faktit se për qytetarët tanë duhet të mbushet ajo që njihet si Letra e Bardhë (e që mund të zgjas deri në 10 min.) edhe për shkak se përmes atyre hyrjeve kufitare, po kthehen në vendet e tyre për pushime edhe shtetasit bullgarë e turq”, ka shkruar Murati në faqen e tij në Facebook.

“Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd z.Valdet Sadiku është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet serbe dhe ata i kanë rekomanduar që përveç pikave kufitare Batrovci-Bajakovo (ku pritjet janë deri në 8 orë) dhe Shid-Tovarnik (ku pritjet janë deri në 6 orë) të përdoren edhe pikat kufitare Bogojevo-Erdut, Neshtin-Ilok dhe Baçka Palanka-Ilok. Gjithashtu gjatë ditës mund të përdoren edhe dy hyrje më të vogla kufitare Luba-Prinicipovac dhe Jamena-Strosnic (këto dy pika sipas informatave jo të plota ka gjasa që punojnë vetëm deri në orën 19.00)”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme