Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kjo qeveri që nga dita e parë është përballur me sfida të shumta, si ajo me pandeminë, luftën në Ukrainë e po ashtu edhe krizën energjetike, raporton Ekonomia Online.
Sukses të kësaj Qeverie në trevjetorin e saj, Murati e sheh rritjen e Bruto Produktit Vendor. Aktualisht sipas Muratit është 9. 6 miliardë euro, 3 miliardë euro më shumë se sa ka qenë viteve të kaluara.
“Që nga dita parë jemi ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme, sepse nuk ka qenë e zakonshme të ketë pandemi që ndodh njëherë në 100 vite, nuk qenë e jashtëzakonshëm të ketë luftë në territorin e Evropës me këto përmasa dhe të shkaktojë rritje të kostos se jetesës. Po ashtu kemi pasimin edhe me ngritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane si rezultat i shkallës së lartë të inflacionit. Të gjitha këto kanë ndodhë në këto tre vite dhe janë të gjitha sfida të cilat kanë arritur që të jenë sfida goxha të renda edhe për shtetet shumë më të konsoliduara e zhvilluara ekonomikisht”, tha Murati.
“Nëse shohim gjatë këtyre tre viteve zhvillimet sa i përket bruto prodhimit vendor, kur e kemi marrë qeverisjen, GDP ka qenë në nivelin 6.7 miliardë euro, kurse tash për vitin 2023 ka arritur nivelin prej 9.6 miliard euro, pra kemi gati 3 miliard euro shtim. Në qeverisjet e kaluara është dashur tre vite për të ja shtuar ekonomisë një miliard”, u shpreh Murati.