Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se partitë opozitare nuk e kanë hallin pse tregtarët abuzojnë me çmime, por synimi i tyre është të hiqet TVSh-ja dhe të ulen të hyrat e qeverisë.
Teksa po e arsyetonte projektligjin për çmimet tavan që po i mendon qeveria për t’i vendosur, ati tutje tha se ky ligj ka për synim që të rregullojë një problem për të cilin pajtohen të gjithë, për çmimet e larta e produktet bazike.
Murati më tej tha se nuk qëndron argumenti që ky projektligj nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Rritja e çmimeve ka dy faktorë kontribuues, e para është importi, sepse për kaq vite me radhë nuk është bërë asgjë, kemi filluar me masën 2.1 të mbështesim prodhuesit, por kërkon kohë. Çmimi i importit është rritur në nivel global. E dyta, spekulimi nga tregtarët brenda vendit, produktet që importohen, është abuzuar me situatën nga shumë prej tregtarëve, abuzohet me pozitën që e kanë dhe shfrytëzojnë ambientin për të rritur marzhat e tyre të fitimit. Ka rritje të çmimit të importit, dhe të marzhës së fitimit për bizneset tregtare. Qeveria ka sjell një ligj që targeton këtë problemin e tyre, se në të parin e kemi të pamundur. Çka dëgjuam këtu sot nga partitë opozitare, është që nuk bën ta kemi një ligj të tillë, disa prej argumenteve ishin që mund të mos jetë në përputhje me kushtetutën dhe propozohet që të hiqet TVSh-ja”.
“Çmimi i vajit aktualisht është 2.65 për litër, a e dini sa është çmimi i importit që ka hyrë vaji ditëve të fundit, 1.40 cent. Kostoja e importit është 1.40 ndërkaq shitja në raft 2.65, marzha e fitimit 90 për qind. Dhe neve na thuhet që nuk është problemi tek marzha e fitimit, por të TVSh 8 për qind, e cila edhe kur hiqet, siç e kemi parë me rastin e gastronomisë nuk reflektohet me çmimin tek qytetari, por vetëm për ta rritur marzhën nga 90 për qind me e bë 98 për qind tregtarët. Partitë opozitare nuk e kanë hallin pse tregtarët abuzojnë me çmime, por synimi i tyre është të hiqet TVSh, të ulen të hyrat e qeverisë, e në anën tjetër të trashet fitimi i tregtarëve”.
“Jemi në situatë ku duhet të vihet në kontroll marzha e abuzimit, me këtë ligj, çmimi i litrës së vajit do të ishte së paku për një euro më lirë. Por, nuk po ju përshtaten me grupe të interesit që i përfaqësoni”.