Murati propozon që të votohet për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajt shkurt dhe mars

Prishtinë | 28 Dhj 2020 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, ka propozuar që para se të votohet Projektligji për Buxhetin të votohet për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajt shkurt dhe mars në mënyrë që të shmanget ndonjë krizë buxhetore.

“Ka pasë disa tentativa që të kalohet në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, por brenda afateve që parashihen në Rregulloren e Punës së Kuvendit nuk ka arritur që të bëhet. Ne sot si komision e kemi mbajtur një mbledhje ku e kemi shqyrtuar këtë projektligj dhe me shumicë të votave ka marrë dritën e gjelbër që t’i rekomandohet Kuvendit për miratim”.

“Propozimi është që të votohet vendimi siç parashihet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike ku thotë se Kuvendi mund të zgjasë ndarjet buxhetore deri në tre muaj në rast të mungesës së Ligjit për Ndarjet Buxhetore. Sipas ligjit muaji janar është i mbuluar me automatizëm, derisa Kuvendi mund të vendosë që të ketë zgjatje për muajin shkurt dhe mars”.

Ai, në seancën e sotme të jashtëzakonshme, ka dhënë edhe arsyet se pse deputetët duhet të votojnë për ta kaluar këtë propozim.

“Arsyeja pse konsideroj që duhet të kalojë ky propozim është se Projektligjit për Buxhet i duhen dy lexime dhe amandamente. Derisa të përfundojnë të dy leximet ne mund ta kemi të publikuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me ç’rast Kuvendi shpërndahet dhe e humb aftësinë për vendimmarrje. Që të mos rrezikojmë propozoj që fillimisht ta miratojmë vendimin për zgjatjet buxhetore për muajin shkurt dhe mars i cili vendim, në rast se nuk ka Ligj për Buxhetin në fuqi, vlen. Nëse ligji i merr votat dhe hyn në fuqi, atëherë vendimi bëhet i panevojshëm”.

I njëjti propozim nuk i ka marrë votat e nevojshme në Komisionin për Buxhet dhe Transfere pasi nuk ka pas kuorum.

Të ngjashme