Hajgarja e Hekuran Muratit me shtesat në vlerë prej 10 eurove për fëmijë

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 15:00 | Nga Xhevdet Pozhari

Gjermania paguan 194 euro në muaj për të lindurit e parë dhe të dytë, për fëmijët e tretë kjo shumë shkon në 200 euro dhe 225 euro për të katërtin.

Në Turqi merren 45.21 euro për të lindurit e parë, 60.28 për të dytët, e për të tjerët 90.43 euro.

Në Maqedoninë e Veriut ishte në fuqi ligji kur për fëmiun e tretë ndaheshin nga 8.048 denarë (133 euro) çdo muaj për 10 vjet, ndërsa për fëmiun e katërt vlera arrinte deri në 11.267 denarë (188 euro) në afat kohor për 15 vite. Kjo pati ndikuar që të shtohej nataliteti i shqiptarëve, e jo i maqedonasve siç patën synuar. Andaj, pas 10 viteve e ndryshuan ligjin.

Sipas ligjit të ri, parashihet ndihmesë e pakthyeshme e cila do t’u jepet vetëm njëherë në vlerë prej 5000 denarëve (83 eurove) për fëmiun e parë, për të dytin 20.000 denarë (333 euro) dhe të tretin 60.000 denarë (1000 euro)

Ky ndryshimi i ri i ligjit në Maqedoninë e Veriut që ndodhi për shkak se përfitonin veç shqiptarët, përkon përafërsisht me shtesën 10 euro që e ka ndarë Qeveria e Kosovës. Nëse përllogaritet për 16 vite, vlera shkon në 1920 euro.

Serbia, shkaku i “mortajës së bardhë”, miratoi ligjin e përkohshëm që prindërit për fëmijën e parë të marrin ndihmë 900 euro, për fëmijën e dytë 10 mijë dinarë në muaj (rreth 90 euro), për fëmijën e tretë 12 mijë dinarë në muaj (mbi 100 euro) dhe për fëmijën e katërt 18 mijë dinarë, apo mbi 170 euro.

Këto shtesa për fëmijë do të jepen deri në moshën 10 vjeçare. Megjithatë, as ky ligj nuk i ndihmoi Serbisë. Nataliteti i saj vazhdon të bie në mënyrë drastike. Sot ajo ka 3 milionë banorë më pak sesa që kishte dikur.

Tash, përllogariteni vetë se çfarë hajgare ka bërë Hekuran Murati me shtesat në vlerë prej 10 eurove për fëmijë. Nga një Qeveri me pushtet absolut është pritur më shumë, veçanërisht në rrethana kur Kosova po boshatiset, ndërsa ka rënë ndjeshëm edhe numri i popullatës. Efekti i këtij vendimi është ZERO.

Këto janë faktet. Vlerësimin bëjeni vetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme