“Muret ndarëse nuk integrojnë shoqëritë dhe vendet”

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 12:00 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se qëllimi i dialogut me Serbinë në Bruksel, është njohja reciproke e shtetësisë së njëra-tjetrës. Me dialog është arritur shumëçka, e edhe shpërbërja e strukturave paralele serbe që vepronin në Kosovë.

Këto komente ajo i ka bërë në tryezën e diskutimit “Dialogu në udhëkryq: çka pas murit?”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“Nuk e mbaj mend që në Kosovë ka pasur protesta për shpërbërjen e strukturave paralele. Në vitin 2011-të ka filluar dialogu i Brukselit dhe ne në temat kryesore kemi vënë zhbërjen e strukturave paralele në të gjitha fushat, mospendimin nga Serbia që serbët të marrin pjesë dhe të integrohen në sistemin shtetëror të Kosovës.

Tahiri ka thënë po ashtu, se ekipi negoicues i Kosovë në Bruksel, po i kërkon Serbisë ta largojë shtetin kosovar nga kushtetuta e vet.

“Ua kemi bërë të qartë serbëve, se thelbi i normalizimit është njohja reciproke e njëra-tjetrës. Me dialogun në Bruksel, po kërkojmë që Serbia ta ndryshojë kushtetutën dhe ta largojë Kosovën si territor të sajin”, ka deklaruar Tahiri.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se ndërtimi i murit është shqetësim i gjithë spektrit politik në Kosovë. Ajo ka rikujtuar se Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme kanë vizituar Mitrovicën dy tri ditë para ndërtimit të murit, e që nuk janë njoftuar nëse do ketë ndërtim të një muri.

“Nga mediet jemi njoftuar për ndërtimin e atij muri. Muret nuk integrojnë shoqëritë dhe vendet. Ngritja e murit ka qitur në një pozitë shumë të paqartë të shoqërisë kosovare dhe asaj serbe”, ka thënë ajo.

Sipas Deliut transparenca dhe llogaridhënia janë pikat kryesore të dialogut. Ajo tha se rruga e vetme e Kosovës si shtet është dialogimi, “por që duhet të ketë dialog stabil dhe transparent”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se ndërtimi murit në veri nuk e di nëse ka qenë pjesë e marrëveshjes.

“Nëse shohim atë mur është një shëmti ose një monstrum që na ka dalë në mes të rrugës. Ky mur është pasqyra reale e asaj që po ndodh”, ka thënë Ferati.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi faktin se mungesa e transparencës ka krijuar një paqartësi tek qytetarët si shqiptarë ashtu edhe serb në procesin e  dialogut, rreth marrëveshjeve të arritura dhe përmbajtjes së tyre si dhe rreth efekteve që do të sjellin në jetën e tyre.

Kryeziu shtoi ndër të tjera se KDI-ja ka marrë iniciativën për të fuqizuar rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

kdi

 

 

Të ngjashme