Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Washington, D.C.
Me këtë rast, zëvendësministri Murtezaj, i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Ҫitaku, ka takuar ambasadoren Tracey Ann Jacobson, zëvendës-asistente kryesore e Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe Matthew Palmer, drejtor i zyrës për çështje të Evropës qendrore dhe jugore.
Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara për përkrahjen e ofruar Kosovës, zëvendësministri Murtezaj i ka njoftuar zyrtarët amerikanë për progresin, sfidat dhe zhvillimet e gjithëmbarshme në Kosovë.
Murtezaj ka shprehur përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të vendit për t’i bërë të gjitha reformat e nevojshme, duke theksuar se Kosova rrugën e saj do ta bëjë gjithmonë bashkë me Shtetet e Bashkuara.
Në anën tjetër, zyrtarët amerikanë e siguruan zëvendësministrin Murtezaj se Kosova do ta ketë gjithmonë përkrahjen Shteteve të Bashkuara në ndërtimin e shtetësisë së saj.