Muslija do të bëhet me skuadër të re

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

23-vjeçari Florent Muslija mungoi në stërvitjen e Hannoverit të premten gjatë ditës.

Gazeta e madhe gjermane “Bild” ka mësuar se reprezentuesi i Kosovës është liruar nga “të kuqtë”, teksa kanë nisur negociatat me një klub tjetër.

“Bild” ka shkruar të premten se sipas burimeve të kësaj gazete, Muslija pritet të transferohet te Paderborni.

Ky transferim pritet të zyrtarizohet të dielën.

Largimi i Muslijajt pas tre vjet e gjysmë të kaluara te Hannoveri nuk është befasi. Te Hannoveri u transferua në vitin 2018. Në atë kohë, Hannoveri ishte në Bundesligë dhe pagoi 1.4 milionë euro për shërbimet e tij. Por, Muslija nuk i ka përmbushur kërkesat e klubit.

Pesë trajnerë kanë mbetur të dëshpëruar me të, Breitenreiter, Doll, Slomka, Kocak dhe Zimmermann, shkruan “Bild”. Trajneri aktual, Christoph Dabroëski 43-vjeçar, duket se nuk llogarit më tek ai.

Muslija te Paderborni do të luftonte për t’u ngjitur në Bundesligë, dhe nuk do të rrezikonte të bie edhe nga Bundesliga 2 me Hannoverin.

Paderborni është në vendin e nëntë, me 10-të pikë mbi zonën e rrezikshme. Hannoveri është në pozitën e 15-të, me gjasa reale për të zbritur në rangun e tretë të futbollit gjerman.

Kontrata e Muslijajt me Hannoverin përfundon në verë. Hannoveri do të ishte i lumtur nëse ai do të largohej në janar, për shkak se përfiton rreth 50 mijë euro në muaj.

Të ngjashme