Musliu: Figurat kombëtare nuk duhet të përvetësohen, shtatorja e Anton Çettës nuk e ka vendin në oborr të Katedrales

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Imami i Xhamisë së Drenasit, hoxhë Osman Musliu ka folur rreth rolit të Anton Çettës në pajtimin e gjaqeve dhe idesë për ngritjen e një shtatoreje në nderë të veprës së tij.

Musliu në këndvështrimin e tij e ka ngritur lartë figurën e Anton Çettës, ndërsa dhe ka ndarë disa rrëfime të kohës kur ai ishte pjesëmarrës me të në disa ngatërresa në zona të Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Unë kam qenë shumë i ri kur ka filluar aksioni i pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Mirëpo kam qenë Imam në Peqan të Suharekës”.

”Ishte një nder bukur i madh. Mua më ka ra disa herë me profesor Antonin, ai nuk më ka njohur mua atëherë. Në Bllacë të Suharekës, në disa fshatra të Suharekës, në disa ngatërresa që kanë qenë atje kam qenë pjesëmarrës por kam qenë atëherë hoxhë i ri”.

”Fjalët e tij aq kanë qenë të ëmbla, aq të bukura dhe mua nganjëherë tash më pengon jo katolik jo mysliman – atëherë kush se ka këqyrë si katolik por e kanë këqyrë si intelektual si patriot i ndershëm si një profeso dhe njeri i kulturës dhe traditës dhe si profesor i kombit”.

”Kanë pasur respekt. Shqiptarët e kanë nderuar shumë profesor Antonin deri në vdekje dhe gati ka arritur ta shuajë vëllavrasjen. Ne s’kemi besuar që aq shumë shqiptarët kanë qenë të ngatërruar mes vete”.

”Për mua ka qenë një prej atdhetarëve, që i ka pri kësaj lëvizje rinia duke e qitë në ballë një profesor si Anton Çettën e dijetarë të tjerë, por në ballë tyre ka qenë ky. Kur ka folë Antoni ka qenë problem mos me e dëgju. Asnjë shenjë të mendjemadhësisë, aq bukur i ka shprehë ato thënie ato fjalë”.

”Më kujtohet aksioni i parë ka qenë në Xhaminë e Bubavecit. Pastaj tek Verat e Llukës kam qenë pjesëmarrës. Ka qenë një prej njerëzve që më ka mbetur në analet e jetës sime. Dhe e vlerësoj shumë dhe ndoshta është një prej njerëzve që më ka shti edhe mua me u marrë me pajtime. E kam parë se sa e vlefshme është pajtimi dhe nuk kam ndërmend të ndalem”.

”Nuk e përjashtoj butësinë dhe sjelljen e pedantërinë e fjalës dhe sjelljes. Profesori Anton ka kontribuar edhe kur e kanë refuzuar. E di në një fshat të Suharekës dikush ka folur fjalë të rënda. Njerëzit e meçëm dijnë të kërkojnë, e njerëzit që nuk janë bash të kthjellët edhe atë që ju takon s’mund ta marrin për shkak të arrogancës së tyre”.

”E profesori Anton ka qenë njëri prej atyre që me urtësinë dhe maturinë e tij ka pasur sukses”.

Pas vdekjes sa u respektua si figurë?

”Edhe njerëzit edhe popujt edhe kombet edhe fiset edhe besimtarët, kur bëjnë punë të mëdha nuk e kshyrin fort çka thonë pastaj. Profesori Anton nuk është respektuar aq sa ka merituar. Por atdhetarët tanë, intelektualët tanë që i kanë dhënë këtij populli nuk e kanë kshyrë a kanë me i sha a e kanë livdu”.

”Tek shqiptarët ai ka mbetur i madh. Nëse institucionet nuk dijnë me e nderu, ne nuk kemi faj. Sepse ka ende plot figura që nuk dijnë me i nderu, shembull Adem Jashari, akoma nuk ka shtatore në Prishtinë”.

Në Orën e Pasditës në Klan Kosova, hoxhë Osman Musliu ka shprehur shqetësim për ngritjen e shtatores së Anton Çettës, duke përmendur se iniciativa për vendosjen e saj në oborr të katedrales është tendencë për dekombëtarizim të atyre që dhanë shumë për vendin.

”Disa njerëz të vegjël kanë marak me ua publiku veprat e mëdha”.

”Mua më ka irrituar një thënie e një sekretari të Ipeshkvisë më duket. Iniciativa për me e vendos në oborr të Katedrales, për mua është iniciativë pa vend. Edhe Ibrahim Rugovën dhe Anton Çettën”.

”Sepse njerëzit e mëdhenj nuk duhet të kqyrim t’i dekombëtarizojmë – për t’i ndarë në fe”.

”Unë sot jam hoxhë, por dikush me më kërku me vendos shtatoren e Adem Jasharit në oborrin e xhamisë time, unë kundërshtoj. Sepse Adem Jashari nuk është i xhamisë, as nuk është i kishës, por është i gjithë shqiptarëve’.

”Mendoj që iniciativa me e vendos shtatoren e Anton Çettës në oborrin e kishës, mendoj që ka qenë gabim, edhe dr.Ibrahim Rugovës”.

”Mirëpo falënderoj familjen, vajzat e profesor Antonit që kanë reagu dhe për mua kanë bërë mirë. Ka qenë pozitive sepse profesor Antoni nuk e ka vendin në oborr të Katedrales, e as Adem Jashari nuk e ka vendin në Xhami”.

”Nuk është mirë figurat kombëtare me i përvetësu, me kqyrë me i marrë dikush për veti. Kisha Katolioke disi po mundohet të bëjë njëfar ndarje”.

”Nëse Ibrahim Rugova ka qenë katolik, mua s’më kish ardhë marre me thanë është katolik, as ortodoks, as ateist, as mysliman”.

”Edhe Ibrahim Rugova me na pas tregu me vakt nëse është mysliman apo i krishter a është i pafe ka pasur të drejtë plotësisht. Por kjo garë me i përvetësu figurat kombëtare po bëhet, sikur pasluftës disa njerëz që u munduan Adem Jasharin me qit në taborin se ka bërë luftë fetare, luftë për islam. Ka pasur disa ekstremista myslimanë që janë munduar ta përvetësojnë Ademin e ta paraqesin se ka bërë luftë për islamin”.

”Është e vërtetë që Adem Jashari s’ka bërë luftë për islamin, por ka bërë luftë çlirimtare për këtë vend dhe ja kanë parë hajrin edhe katolikët, edhe myslimanët, edhe ateistët edhe serbët ndoshta ja kanë parë hajrin se janë kanë ata në zor”.

”Nëse hymë ne me i nda figurat kombëtare, atyre iu mbesin shumë pak në krahasim me ne myslimnëve. Por edhe nëse duan me u nda, ne s’kemi me i lëshu sepse jemi vëllezër”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme