Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar lidhur me rastet e fundit të kërcënimeve, presioneve dhe fushatave linçuese ndaj gazetarëve.
Ajo ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe se sipas saj, liria e mediave është një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
“Si anëtare e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e theksoj qartë se liria e mediave është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe të një shoqërie të lirë.
Kërcënimet, presionet dhe fushatat linçuese ndaj gazetarëve, sipas saj, përbëjnë sulm ndaj fjalës së lirë, informimit të drejtë dhe interesit publik.
Ajo ka shtuar se gazetarët duhet të kenë mundësi ta kryejnë punën e tyre pa frikë, pa intimidim dhe pa ndërhyrje politike apo institucionale.
“Çdo kërcënim ndaj një gazetari duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet përgjegjëse dhe të hetohet me përkushtim. Heshtja përballë këtyre rasteve vetëm sa e inkurajon klimën e presionit dhe të pasigurisë. Mbrojtja e gazetarëve dhe garantimi i lirisë së mediave nuk është çështje e një partie apo grupi të caktuar. Është përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore. Demokracia nuk mund të jetë e shëndoshë pa media të lira, të pavarura dhe të sigurta. Të gjithë duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër kërcënimeve dhe fushatave linçuese ndaj gazetarëve.”, ka shkruar ajo.