Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Gjykata Speciale nuk do të duhej t’i intervistojë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo për Ekonomia Online tha se shpreson që sa më shpejt të përfundojë sfida për popullin e Kosovës duke aluduar në thirrjet e Gjykatës Speciale.
Sa i përket intervistimit të kreut të PDK-së, Kadri Veseli, tha se ai vetë do të jap informacione atëherë kur ka nevojë.
“Unë besoj që çdo detaj lidhur me kryetarin e Kuvendit i cili aktualisht gjendet në Hagë ose kryetarin e partisë sonë Kadri Veseli, do të japin ata që janë me kryetarin, por edhe vetë kryetari Veseli do të jetë para medieve sa herë që do të ketë nevojë për informacion. Unë uroj dhe shpresoj që përfundimisht të përfundojë kjo sfidë për popullin tonë sepse besoj fuqishëm se duhet dikush tjetër të shkojë në Hagë dhe jo ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Musliu.
Këto komente Musliu i bëri derisa po regjistrohej si deputet e re e kësaj legjislature në Kuvendin e Kosovës.
“Sot e bëmë regjistrimin formal që duhet procedura të përmbushim, është hera e katërt që e bëmë, për mua është ishte krejt diçka normale. Është mandati i katërt, kështu që është thjesht një formalitet dhe një obligim që duhet me përmbush çdo deputet sot”, tha Musliu për EO.