Mustafa: Deklaratat e Thaçit e Haradinajt në Berlin, për konsum të brendshëm, u shuan shpejt

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar Samitin e Berlinit dhe rezultatet që prodhoi ai.

Në një postim në Facebook, ai thotë se nga pritjet spektakolare që kishim për këtë Samit, ai dha rezultate normale për një përbërje të tillë.

Ky Samit, sipas Mustafës, dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe.

Madje, sipas tij, Samiti as nuk ofroi modele dhe as nuk përjashtoi modele.

Kreu i LDK-së thotë se sikurse Kancelarja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi.

Por, Mustafa thotë se s’ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë.

“Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së (pasi të kryhen zgjedhjet në PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, theksoi Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës kritikoi edhe deklaratat e Presidentit Thaçi e edhe të Kryeministrit Haradianj,

“Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashkë aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”, potencoi Mustafa.

Ai thotë se është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje, ndërsa theksoi se për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme