Mustafa: Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk kanë atdhe

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 11:08 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë Konferencës Ndërkombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka folur për rezultatet e arritura deri më tani, si dhe përkushtimin e shumanshëm të Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

 Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, dhe shefi OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, të cilët folën për punën e deritashme, sfidat dhe angazhimet e mëtejme të Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri, të cilat po rrezikojnë shoqërinë, të cilat nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një lokacion të caktuar, por po e mundojnë botën bashkëkohore dhe po paraqesin rrezik për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm.

 “Ne kemi bërë përpjekje deri më tani të shohim se cilët janë faktorët apo çfarë janë shkaqet e dukurive të tilla. A janë faktorët ekonomikë, socialë, arsimor, kulturor, a janë faktorët fetarë, a janë ambicie për të shprehur egon individuale apo grupore. Është vështirë të vihet deri te konstatime të caktuara, mirëpo ajo çfarë bashkërisht kemi konstatuar, është e domosdoshme që të gjithë ne të marrim masa, të punojmë bashkërisht, jo vetëm në Kosovë, por të punojmë edhe me vendet fqinje, me të gjitha vendet tjera, sepse është një problem që nuk i përket vetëm një vendi, nuk i përket vetëm Kosovës, por bashkërisht mund ta mundim, dhe mund ta mundim vetëm nëse punojmë bashkërisht”, tha kryeministri.

 Më tej, kryeministri Mustafa u shpreh se Kosova është në rrugë të mirë dhe është e përkushtuar për integrime evropiane, për integrime euroatlantike dhe për bashkëjetesë me të gjitha komunitetet.

 “Kemi një tolerancë të mirë fetare, që është kontribut sidomos i bashkësive fetare, edhe asaj myslimane, katolike, ortodokse dhe bashkësive tjera, sepse kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes tyre. Por, mund t’ju them se kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer edhe në këtë aktivitet të betejës sonë, që ta mundim ekstremizmin, radikalizmin dhe të bëjmë një punë të suksesshme të përbashkët, sepse pa ndihmën e bashkësisë islame, bashkësive tjera fetare, pa ndihmën e shoqërisë civile, medieve, subjekteve politike, shkollave, firmave, sepse është një çështje, e cila preokupon të gjithë shoqërinë dhe do të ishte vështirë që të arrijmë suksese në këtë fushë”, tha kryeministri.

 Lidhur me punën institucioneve kompetente, kryeministri Mustafa, tha se ato janë të ndërtuara dhe të strukturuara mirë por se nuk iu është lënë që kjo punë të jetë vetëm e policisë, apo vetëm e Agjencisë së Inteligjencës dhe e organeve shtetërore.

 Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa, foli edhe për aprovimin vitin e kaluar të Ligjit në Kuvend i cili ndalon bashkimin e qytetarëve në konfliktet e jashtme dhe të hartimit të Strategjisë në Qeverinë, si një dokument shumë i rëndësishëm për t’u përballuar edhe me ekstremizmin e dhunshëm, edhe format e radikalizmit, të cilat qojnë në terrorizëm.

 Më tutje, kryeministri Isa Mustafa, ritheksoi kërkesën që Kosova të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare të cilat merren me sigurinë, sidomos në Interpol, të ketë marrëdhënie shumë të mira me Europolin dhe po ashtu të jetë pjesë e bashkëpunimit me NATO-n, në mënyrë që Kosova ta jap kontributin e saj.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, si nikoqir i kësaj konference ka folur edhe rreth fesë islame. Ai ka thënë se kjo fe është fe e mirë dhe predikon paqe. Madje ai ka përgëzuar edhe disa imam për predikimet e tyre.

“Feja islame është fe e mirë. Predikon paqe. Të tilla i kemi pasur fetë në Kosovë. Unë përgëzoj të gjitha ata imam që kanë bërë aq shumë punë për ta ruajtur frymën konstruktive dhe pozitiviste të predikimeve të tyre”, ka thënë Hyseni.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, lavdëroi institucionet e Kosovës për angazhimin e tyre për ta luftuar këtë dukuri që sipas tij është bërë kërcënimi kryesor në botë.

Konferenca për ekstremizmin e dhunshëm e cila ka filluar sot do t’i vazhdojë punimet edhe nesër ku do të shkëmbehen përvoja nga vendet dhe institucionet të ndryshme rreth ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.

Të ngjashme