Bashkëpunimi tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar një rritje të vazhdueshme. Eksportet e Kosovës në Shqipëri janë rritur nga 5.7 milionë në vitin 2005 në rreth 60 milionë Euro në vitin 2017.
Kështu ka thënë ish-deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, duke potencuar se në të njëjtën periudhë importet nga Shqipëria janë rritur nga 18 milionë në 151 milionë Euro.
Thotë po ashtu se në vitin 2017 shënohet rritja më e madhe e këmbimit gjatë dhjetë vjetëve të fundit, në të dy anët dhe thekson se importet nga Shqipëria janë rritur 31%, kurse eksportet e Kosovës në Shqipëri 43 % (nga 42 milionë në rreth 60 milionë).
Megjithatë, siç thotë ish-deputeti dhe profesori i Ekonomisë, Mustafa, në një shkrim në Facebook, edhe përkundër këtyre trendve, një vëllim tregtar i gjithëmbarshëm prej rreth 210 milionë eurosh ende mbetet në përmasa modeste dhe prapa nevojave e sidomos mundësive.
“Lobet e importit ende gjejnë mënyra që të krijojnë pengesa për rritjen e vëllimit të këmbimit tregtar midis dy vendeve. Përmasat ende modeste të këmbimit tregtar midis dy vendeve shijohen edhe nga struktura e mallrave që tregtohen. Aty ka hapësirë për shumë më shumë mallra konsumi – ushqimore dhe të tjera”, potencon profesori i Ekonomisë, Muhamet Mustafa.
Ai thotë se pritjet për rezultate nga takimet e kaluara mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, kanë qenë shumë më të mëdha sesa tani, por shton se mbledhja e fundit, ajo e djeshmja, ishte konkrete për heqjen e gjithë barrierave tarifore e jo tarifore (dokumentacioneve e barrierave burokratike) në vitin që vjen.
“Të dy vendet duhet të punojnë që të zbatohet unioni doganor midis tyre, të identifikojnë projektet me interes nacional që sforcojnë natyrën komplementare të burimeve në energji, bujqësi, turizëm e të ngjashme”, thotë Mustafa.
Ndër të tjera, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, potencon se kompletimi i Rrugës së Kombit do të bëhej përmes hekurudhës Milot – Prizren.
“Autostrada e Kombit bëri ndryshimin epokal në krijimin mundësive. Kjo duhet të kompletohet edhe me hekurudhën Milot- Prizren. Ky duhet të jetë investim i përbashkët dhe Kosova duhet të merr pak më shumë barrë se sa do t’i takonte me kilometra në territorin e saj, pasi që ky projekt , në një trase të re, gati në tërësi është nga Miloti deri në Morinë dhe pastaj rreth 20 kilometra deri në Prizren nga aty. Ky në këtë moment është projekti më strategjik kombëtar me efekte shumë të mëdha propulsive. Ai rrit aftësinë konkurruese të të dy ekonomive dhe ul varësinë nga të tjerët. Hezitimi dhe vonesa e tij do të thotë shumë oportunitete të humbura”, përfundoi Mustafa.