Ish deputeti i LDK-së dhe profesori universitar i shkencave ekonomike, Muhamet Mustafa ka njoftuar se një nga rekomandimet kryesore të Institutit Riinvest nga raporti kërkimor që prezanton sot më temë “Bashkëjetesa me Covid-19, tri shtyllat e rimëkëmbjes”, është përfshirja urgjente e sektorit të shëndetësisë me intervenim të strukturuar dhe të kuantifikuar e me burime të sigurta deri në 4-5% të GDP-së sivjet dhe 6 % vitin e ardhshëm nga rreth 3% sa është tani.
Sipas tij, sektorit të shëndetësisë, duhet t’i japim prioritet për investime të shpejta për rritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve teknike, pajisjeve dhe kapaciteteve humane, si dhe për përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor për të përballuar situata serioze siç është kjo me COVID-19 ose të ngjashme.
“Riinvest rekomandon që nga fondet e privatizimit të bëhet sa më parë një investim domethënës për ndërtimin e një Klinike moderne, me te gjithapajisjet që do të mund mundësonin të gjitha analizat dhe shqyrtimet diagnostike me standarde evropiane duke përfshirë këtu edhe aftësimin e shpejtë të stafit vendor për përdorimin e tyre në kuadër të një bashkëpunimi me ekspertë ndërkombëtarë për një periudhë të caktuar kohore. Kjo do të reduktonte dukshëm nevojën për të shpenzuar fonde publike e private jashtë vendit dhe siguronte një barazi në qasje në shërbime cilësore për gjithë qytetarët e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.