Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet dhe se i ka planet për krijimin e saj. Mirëpo ai ka thënë se ky proces do të bëhet në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.
Këto komente ai i ka bërë pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Kosova i ka planet për ushtrinë dhe duhet të ketë ushtrinë e vet. Ky proces do bëhet në bashkëpunim me NATO-n, me ShBA-në dhe vendet e BE-së që të zhvillohet debat me të gjitha komunitet në mënyrë që të marrin përkrahjen e tyre dhe që ky proces i ushtrisë të jetë gjithëpërfshirës”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, tha se formimi i ushtrisë do të bëhet nga në pajtim me të gjithë aktorët.
“Kjo i bije se Kosova ka të drejtë të ketë një ushtri sovrane dhe e gjithë kjo në harmoni të përfshirjes në biseda nga të gjithë aktorët”, ka thënë Gabriel.
“Pas një konflikti të armatosur duhet kohë, por duhet raport miqësor mes vete, prandaj ju them të evitoni provokimet ju dhe Serbia si dhe të lehtësoni bashkëjetesën. Është kusht për këto shtete që të anëtarësohen në BE, por ne e përcjellim këtë proces”, ka theksuar ai.