Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe progresin që po arrihet në zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane si dhe proceset tjera.
Duke e falënderuar ish-presidentin Mesiq për kontributin e dhënë për Kosovën gjatës kohës sa ka qenë president, sidomos pas shpalljes së pavarësisë në fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral me Kroacinë.
“Republika e Kroacisë ka dhënë mbështetje të madhe për Kosovën duke qenë partner i rëndësishëm në rrugën e konsolidimit dhe të forcimit të shtetësisë”, tha kryeministri Mustafa.
Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e tij të mëtejshme për Kosovën.